
A i dëmtuan hetimet Osmani e Haxhiu në rastin e Radomir Labanit?
Dy konferenca të jashtëzakonshme, u thirrën për të njëjtën arsye.
Fillimisht, presidentja Vjosa Osmani, fokus pati një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.E disa ditë më pas, informacione shtesë para gazetarëve, ndau ministrja në detyrë e drejtësisë.
E të hënën, u bë e ditur se vet gjyqtari serb, Radomir Laban kërkoi përjashtimin nga vendimmarrja nga rastet e bllokadës në Kuvend.
Por këtë kërkesë, Gjykata Kushtetuese thotë se nuk ia miratoi.Më 7 gusht 2025, gjyqtari Radomir Laban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja nga rastet KO193/25 dhe KO196/25 si dhe KO215/25. Të njëjtën ditë, Gjykata njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Laban, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
E kur kanë kaluar 2 javë nga paralajmërimi i krerëve të shtetit për gjyqtarin Laban, ende nuk ka veprime nga organet e sigurisë në Kosovë.
Ndërsa eksperti i kësaj fushe, Fadil Kajtazi, thotë se Osmanit e Haxhiut, mund t’i kenë dëmtuar hetimet.
“Është shumë paradoksale se si presidentja e vendit dhe deputetja (Haxhiu) del para opinionit dhe thotë se dikush dhe etiketon me emër dhe thotë se e rrezikon sigurinë nacionale dhe kalojnë 10 ditë e nuk ka veprime konkrete. Imagjino sikur AKI ta ketë pasur në përpunim operativ gjyqtar dhe të ketë pasur indicie se ai është duke e konsumuar veprën penale dhe presidentja e deputetja ta dekonspirojnë këtë aksion të AKI-së, pra edhe kjo është një rrezik për sigurinë nacionale. Pra, të dy drejtimet, edhe mosveprimi por edhe veprimi i parakohshëm në këtë rast, nën supozimin se është duke ndodh kjo, paraqesin shkaktim të rrezikut të sigurisë nacionale, ka thënë Kajtazi.
Për këtë çështje,Tëvë1 i është drejtuar disa herë edhe Prokurorisë Speciale në vend.
Por të njëjtit, nuk kanë kthyer përgjigje.