“Do të merren masa ligjore”, Prishtina paralajmëron operatorët nga Podujeva për ndalesa te Xhamia e Llapit
Foto: Laura Hasani

“Do të merren masa ligjore”, Prishtina paralajmëron operatorët nga Podujeva për ndalesa te Xhamia e Llapit

Aktuale August 17, 2025 - 14:02

Komuna e Prishtinës ka reaguar pas raportimeve se disa operatorë nga Podujeva po anashkalojnë ndalesën në Stacionin e Autobusëve në kryeqytet, duke u kthyer në pikën e ndaljes te Xhamia e Llapit.

Në një njoftim për media, komuna ka theksuar se “mbetet plotësisht e përkushtuar në respektimin e marrëveshjes së arritur për qarkullimin e autobusëve ndërurbanë, përfshirë linjat që vijnë nga Podujeva”.

Marrëveshja, siç thuhet është arritur në bashkëpunim me Komunën e Podujevës, Ministrinë e Planifikimit të Mjedisit dhe Hapësinor, si dhe Shoqatën e Operatorëve të Transportit, prandaj nuk ka qenë njëanshme.

Lidhur me veprimet e operatorëve që po kthehen në ndalesën e vjetër, komuna i konsideron ato “shkelje të qarta të rregullave komunale dhe marrëveshjes së ndërsjellë”, duke shtuar se “veprime të tilla nuk do të lejohen”.

“Komuna do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe administrative të nevojshme për të siguruar që të gjithë autobusët ndërurbanë, pa përjashtim, të ndalojnë në Stacionin zyrtar të Autobusëve në Prishtinë për marrjen dhe lëshimin e udhëtarëve”, thuhet tutje në reagim.

Sipas komunës, ndalimet e paautorizuara brenda qendrës së qytetit “paraqesin rrezik për sigurinë në trafik, rendin publik dhe planifikimin urban të transportit”.

Po ashtu, Komuna e Prishtinës i ka kërkuar Ministrisë për Planifikim të Mjedisit dhe Hapësirës që të rishikojë dhe, në raste të shkeljeve, të revokojë të gjitha licencat e operatorëve që nuk respektojnë itinerarin dhe pikën fillestare të nisjes, e cila sipas tyre mbetet Stacioni i Autobusëve i Prishtinës.

Në fund të njoftimit, komuna shpreh gatishmërinë për dialog, por paralajmëron se do të veprojë me “vendosmëri për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të ruajtur rendin në transportin publik”.

Ndërkohë, theksohet se Komuna e Podujevës ende nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare ndaj draftit të marrëveshjes së përbashkët.