![Shpërthim në objektin e kandidatit të Listës Serbe në veri [video]](/uploads/zeri.info/images/2025/August/17/auto_533391508_1383357350458192_5286047427906950934_n1755420712.jpg)
Shpërthim në objektin e kandidatit të Listës Serbe në veri [video]
Vetëm pesë orë më parë, zjarrfikësit lokalizuan një zjarr që kishte shpërthyer në një objekt, i cili sipas informatave jozyrtare lidhet me Millosh Peroviqin, zyrtar i Listës Serbe dhe kandidat i kësaj partie për kryetar të Zubin Potokut në zgjedhjet lokale.
Skena e zjarrit këtë mëngjes ishte e rrethuar me shirita të verdhë. Dëmet materiale në ndërtesë janë të dukshme dhe ndihet era e djegies.
Policia ka konfirmuar se informacionin për zjarrin e kanë pranuar sot në mëngjes, në orën 04:20, transmeton Jepi Zë.
“Ka djegur kati i parë i shtëpisë, ku ndodhet shtypshkronja. Askush nuk është lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale. Deri më tani nuk ka të dyshuar”, thanë Policia e Kosovës për Zubin Potok INFO.
ZP INFO mëson jozyrtarisht se policia dyshon që zjarri është vënë qëllimisht, por janë duke pritur fjalën përfundimtare nga ekspertët.
Për kujtesë, automjeti në pronësi të Millosh Peroviqit, në kohën kur ai ushtronte detyrën e zëvendësministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, ishte djegur në qendër të Zubin Potokut, herët në mëngjesin e 17 majit të vitit 2019.