Kryetari i Junikut apelon te mërgata për pjesëmarrje në zgjedhje

Kryetari i Junikut apelon te mërgata për pjesëmarrje në zgjedhje

Aktuale August 16, 2025 - 19:04

Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu u ka bërë thirrje qytetarëve të kësaj komune që jetojnë jashtë vendit të aplikojnë për të votuar në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Ai kujtoi se mërgata kishte luajtur një rol vendimtar në zgjedhjet e kaluara dhe theksoi rëndësinë e përkrahjes së saj edhe këtë vit.

“Na duhen vetëm 30 minuta nga koha juaj, për të na dhënë edhe 4 vite së bashku, drejt zhvillimit të Junikut”, ka shkruar ai në një postim në rrjete sociale, duke shtuar se pa angazhimin e diasporës shumë projekte të nisura mund të mbesin të papërfunduara.

Në thirrjen e tij, kryetari potencoi se procesi i aplikimit për votim është i thjeshtë dhe kërkon vetëm një lejeqëndrim, një fotografi dhe një faturë me adresë.

Afati i fundit për aplikim është 29 gusht.