
Ibrahimi: Bllokada institucionale po i kushton miliona euro pushtetit lokal
Sazan Ibrahimi, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me ndikimin negativ që po ka mosfunksionimi i institucioneve qendrore në nivelin lokal.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ibrahimi theksoi se shumë projekte komunale janë bllokuar për shkak të mungesës së marrëveshjeve ndërkombëtare dhe masave të BE-së, duke pamundësuar shfrytëzimin e fondeve të zotuara për Kosovën.
“Mosfunksionimi i institucioneve qendrore ka ndikim negativ edhe në funksionimin e pushtetit lokal, problematika është shumë dimensionale, si nga aspekti financiar por edhe legjislativ. Shumë mjete financiare që janë të zotuara nga BE, nuk mund të thithen nga Kosova për shkak se duhet një marrëveshje ndërkombëtare, ku me dhjetëra miliona euro shkojnë edhe në nivel lokal. Për shkak të masave të BE-së, shumë projekte në nivel lokal që kanë qenë të planifikuara nuk mund të zbatohen apo janë ndërprerë. Komunave u janë duke u marrë mjete financiare të shumta për shkak të zbatimit të shumtë të lëndëve gjyqësore, në veçanti procedurat përmbarimore gjyqësore që kanë të bëjnë me kontratat kolektive. Gjatë këtyre tre vite e gjysmë, komunave u janë marrë padrejtësisht mbi 210 milionë euro, ku shumica absolute e tyre janë marrë për shkak të zbatimit të kontratave kolektive, ku komunat nuk kanë asnjë faj të vetëm për këtë çështje. Me qindra miliona euro nuk kanë mundur të përkthehen në investime kapitale, në subvencione, mallra dhe shërbime për shkak të kontratave kolektive dhe mospërgatitjes së nivelit qendror për ta zgjidhur këtë problem”, tha ai.
Ibrahimi kritikoi mungesën e gatishmërisë së nivelit qendror për të zgjidhur problemet e krijuara nga kontratat kolektive, të cilat kanë shkaktuar humbje prej mbi 210 milionë euro për komunat.
“Niveli qendror po të donte, mund ta zgjidhte këtë problem, duke paraparë një vijë buxhetore që e mbulon koston e kontratës kolektive, por më e dhimbshme është që me miliona euro shkojnë tek përmbaruesi dhe këto mjete financiare janë të taksapaguesve kosovarë. Nuk jemi kundër përmbaruesve, por niveli qendror me dashje është duke lëshuar këtë gabim. Si pasojë e kësaj, mijëra euro shkojnë tek përmbaruesit. Vitin e kaluar kemi pasur rënie drastike të të hyrave vetanake nga tatimi në pronë dhe kjo është pasojë e mospërgatitjes së nivelit qendror për bashkëpunim me komunat”, tha ai.
Ai kërkoi që pas konstituimit të institucioneve të nisë urgjentisht amendimi i ligjeve për financat lokale, tatimin në pronë dhe prokurimin publik, të cilat aktualisht paraqesin pengesë për një ndarje të drejtë të buxhetit mes nivelit qendror dhe atij lokal.
“Ne presim që me konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë të fillohet amendamenti i menjëhershëm i Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, Ligjit për Tatimin në Pronë dhe Ligjit për Prokurimin Publik, sepse këto ligje janë pothuajse pengesat kryesore në mosndarjen e drejtë të mjeteve financiare nga niveli qendror kundrejt komunave të Kosovës. Shumica absolute e kryetarëve theksojnë se ka pabarazi në ndarjen e këtyre mjeteve buxhetore ndaj komunave”, tha ai.