
Qerkini kritikon Prokurorinë për rastin Thaçi: Kërkesa e Prokurorisë për kufizim vizitash nuk është normale
Artan Qerkini, avokat i akredituar pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka folur lidhur me kërkesën e Prokurorisë për kufizimin e 15 personave për ta vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se kërkesa e ZPS-së nuk është normale.
“Kërkesa nuk më duket normale, sidomos nëse merret parasysh se rasti i Prokurorisë tashmë ka përfunduar. Pra, është fakt i ditur botërisht se Prokuroria ka përfunduar prezantimin e provave të saj dhe, për rrjedhojë, në dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria tashmë nuk mund të ndikohet.”
“Prandaj, po e them se në këtë fazë të procedurës kjo kërkesë nuk më duket normale. Gjithmonë, kur bëhet fjalë për kufizimin e të drejtave të një personi i cili është në paraburgim, duhet të dimë se duhet të aplikohet testi i proporcionalitetit, pra në njërën anë të merret integriteti i procedurës që është në zhvillim e sipër dhe po ashtu edhe të drejtat e të paraburgosurit. Tashmë kjo kërkesë është e disbalancuar me këto dy parime, sepse po bëhet në një kohë kur Prokuroria, siç e thashë, ka përfunduar rastin e saj dhe pritet që të dëshmojnë dëshmitarët e mbrojtjes,” ka thënë ai. /dukagjini