Shqetësimi i serbëve në Graçanicë përballë unitetit shqiptar: Vetëm valixhja na ka mbetur

Shqetësimi i serbëve në Graçanicë përballë unitetit shqiptar: Vetëm valixhja na ka mbetur

Aktuale August 14, 2025 - 16:58

Svetozari nga Graçanica, pranë Prishtinës, u nis të enjten në mëngjes drejt komunës në përpjekje që të regjistrohet.

Ai e bëri këtë nga frika se nuk do të mund të votojë në zgjedhjet lokale të tetorit, pasi i kishte ndjekur thirrjet e përfaqësuesve politikë dhe kishte bojkotuar regjistrimin e popullsisë në Kosovë në vitin 2024.

Pse është e rëndësishme për të që të votojë këtë herë? Sepse nuk dëshiron që në krye të asaj komune të vijë dikush nga komuniteti shqiptar, pasi partitë më të mëdha shqiptare janë bashkuar në një listë të vetme atje. Këtë komunë, prej vitesh, e udhëheq Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi zyrtar.

Edhe pse lista zgjedhore nuk lidhet me regjistrimin e popullsisë, Svetozari thotë se dëshiron ta realizojë të drejtën e tij për të votuar në zgjedhjet e 12 tetorit.

“Të gjithë serbët të dalim të votojmë dhe le të fitojë ai që merr më shumë vota”, thotë ai.

Atë që nuk arritën ta bëjnë Gjykata Kushtetuese, thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe qytetarëve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të shkurtit, e ka arritur Graçanica – ajo i ka bashkuar partitë shqiptare, të cilat kanë dalë me një listë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme komunale.

Nisma Aleanca Shqiptare, e ka bashkuar Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Kandidat për kryetar të komunës nga kjo iniciativë do të jetë Leutrim Ajeti, i cili deri më tani ka qenë i vetmi asamblist shqiptar në Kuvendin e Komunës së Graçanicës dhe ka shërbyer si zëvendëskryetar i kryetares Lilana Shubariq nga Lista Serbe.

“Bashkë, pa dallim, Graçanicën do ta transformojmë, me ide të përbashkëta bashkë me ndihmën e nivelit qendror e akterë të tjerë të rëndësishëm! Ditëve në vijim do të dalim edhe me programin tonë qeverisës për katër vitet e ardhshme, program që do të përfshijë investim në çdo pjesë të Graçanicës, pa dallim etnie e feje, sepse Aleanca Shqiptare do t’ju shërbejë të gjithëve”, shkroi Ajeti në Facebook më 13 gusht.

Megjithatë, banorët e Graçanicës nga komuniteti serb, me të cilët bisedoi ekipi i Radios Evropa e Lirë të enjten, e shohin me mosbesim bashkimin e partive shqiptare.

“Nëse serbët e humbin pushtetin, vetëm valixhja në dorë na ka mbetur dhe asgjë tjetër”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Bilana nga Graçanica, duke mos dashur të komentojë më tej bashkimin e partive shqiptare në këtë komunë.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe Rada, e cila megjithatë beson se serbët në Graçanicë do të mbeten në pushtet dhe se shumica e tyre do t’i sigurojnë edhe vendet e asamblistëve në Kuvendin Komunal.

“Edhe kështu jetojmë keq, e të vijë edhe një shqiptar në pushtet… këtu votojnë serbët, shumica janë serbë”, thotë ajo.

Edhe Svetozari nga Graçanica thekson se serbët në këtë komunë përbëjnë shumicën dhe se anëtarët e komunitetit shqiptar nuk mund ta drejtojnë këtë komunë.

“Ne jemi shumicë, e kuptoni? Duhet të jetë njeriu ynë, duhet të dalim, të votojmë”, thotë ai.

A janë serbët shumicë në Graçanicë?

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2024, në Graçanicë, janë regjistruar 8.560 serbë, ndërsa në territorin e kësaj komune jetojnë rreth 8.623 shqiptarë.

Disa banorë të Graçanicës e bojkotuan regjistrimin, duke iu përgjigjur thirrjes së Listës Serbe, ndërsa të tjerë pohuan se regjistruesit nuk kishin shkuar fare në shtëpitë e tyre. Agjencia e Statistikave të Kosovës u përgjigj në atë kohë, duke thënë se kishte pasur probleme me disa regjistrues serbë, të cilët “për shkak të presionit” kishin refuzuar ta kryenin punën.

Në korrik të vitit 2025, Zyra për Komunitete pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës njoftoi se regjistrimi i popullsisë për komunitetin serb do të zgjatet deri më 31 gusht 2025, për t’iu mundësuar atyre realizimin e të drejtave të tyre.

Siç u bë e ditur në njoftim, për t’i regjistruar të gjithë qytetarët e Kosovës, Agjencia e Statistikave ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi për rëndësinë e regjistrimit dhe ka ofruar mundësinë e regjistrimit në zyrat e saj komunale, si në veri, ashtu edhe në jug të vendit.

Çfarë tregojnë të dhënat nga listat zgjedhore dhe zgjedhjet?

Ivan Nikoliq nga organizata joqeveritare Komunikimi për Zhvillimin e Shoqërisë, me seli në Graçanicë, thekson në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se regjistrimi i fundit i popullsisë për komunitetin serb nuk është relevant, pasi nuk pasqyron gjendjen reale në terren.

“Listat aktuale të votuesve mund të jenë më të rëndësishme”, thotë ai.

Edhe politologu Ognjen Gogiq vlerëson se zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura në shkurt të këtij viti, kanë treguar se serbët përbëjnë shumicën në komunën e Graçanicës, pasi subjektet politike serbe morën mbi 80 për qind të votave nga numri i përgjithshëm i votuesve.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e shkurtit në komunën e Graçanicës të drejtë vote kishin rreth 20.000 votues. Prej tyre, rreth 8.300 votues votuan për ndonjë nga subjektet politike serbe, ndërsa partitë shqiptare morën rreth 1.100 vota.

Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021, Lista Serbe fitoi në Graçanicë postin e kryetarit të komunës dhe 18 vende në kuvendin komunal, duke siguruar rreth 7.000 vota. Ndërsa Aleanca Shqiptare fitoi një vend në kuvend me rreth 350 vota.

A është befasi bashkimi i partive shqiptare në Graçanicë?

Sipas Ivan Nikoliqit, është plotësisht e pritshme që komuniteti shqiptar në Graçanicë të dalë i bashkuar në zgjedhjet lokale, me qëllim që të fitojë më shumë vende të asamblistëve në Kuvendin e Komunës.

“Ky ishte hap logjik, sepse ekziston dëshira apo synimi që ata të përfshihen më aktivisht në procesin e vendimmarrjes në nivel lokal. Kjo është një nga mënyrat. Pra, shumë thjeshtë dhe në mënyrë praktike – në vend që ta kenë një këshilltar, do t’i kenë dy ose tre”, thotë Nikoliq.

Nga ana tjetër, për Ognjen Gogiqin, bashkimi i partive shqiptare në Graçanicë është një befasi e madhe, duke pasur parasysh se dallimet mes këtyre partive në nivel qendror janë shumë të mëdha dhe “të pakalueshme”.

“Në nivel qendror, partitë shqiptare po kalkulojnë për zgjedhjet lokale, prandaj edhe kanë bllokuar Kuvendin – nuk po merren vesh për kryetarin, sepse po shikojnë nga zgjedhjet lokale. Për këtë arsye është befasi, por është e qartë se janë të vetëdijshme që në Graçanicë janë pakicë dhe se do të kenë rezultat më të mirë nëse bashkohen", u shpreh Gogiq.

Në zgjedhjet e ardhshme lokale, serbët do të kenë mundësi të zgjedhin mes disa opsioneve pothuajse në secilën komunë.

Afati për paraqitjen e subjekteve politike dhe kandidatëve ka përfunduar më 13 gusht dhe tani pason verifikimi i tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas njoftimeve të mëparshme nga vetë partitë, në zgjedhjet lokale do të marrin pjesë Lista Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Fytyra e Re e Serbisë, Drejtësia Popullore, Aleanca e Kosovës, si edhe disa iniciativa qytetare.

Deri në nëntor të vitit 2022, Lista Serbe ka qenë në pushtet në të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, derisa vendosi të largohet nga institucionet në veri për shkak të çështjes së riregjistrimit të makinave me targa serbe në ato të Kosovës. Në prill të vitit 2023, ajo bëri thirrje për bojkot të zgjedhjeve lokale, e më pas edhe për bojkot në procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në prill të vitit 2024.

Si rezultat, kryetarët shqiptarë në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok mbetën deri në fund të mandatit. /REL