
Befasi në Pejë, ish-drejtori i Gazmend Muhaxherit kandidat i pavarur për kryetar
Ish-drejtori i Financave në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj, është kandidat i pavarur për kryetar të kësaj komune.
Abazaj do të ballafaqohet me ish-shefin e tij të dikurshëm, kryetarin aktual të Pejës Gazmend Muhaxheri në zgjedhjet lokale të tetorit.
Kandidatura e Abazajt për kryetar të Pejës pritet të formalizohet dhe zyrtarizohet po sot nga KQZ-ja, pasi t’i kalojë çështjet procedurale, i thanë “RADIO 1” burime brenda KQZ-së.
Jeton Abazaj për 10 vjet ka udhëhequr me Drejtorinë e Financave në Komunën e Pejës, derisa më 15 mars të vitit 2024 kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë dhe rrjedhimisht nga të gjitha pozitat brenda LDK-së.
“Më shumë e dua qytetin sesa pushtetin, andaj më mirë është të mbahem mend si djalë i qytetit, sesa si servil i pushtetit! Në një vend ku nuk ta dinë vlerën sa më shpejt hape derën!
Këtij pushteti nuk i kam kërku as favore personale e as të mira materiale, thjesht kam kërku vlerësim e dinjitet, njerëzit largohen atëherë kur tentohet me ju shkel dinjiteti, njëjtë po veproj edhe unë!’, thuhej mes të tjerash në deklaratën e dorëheqjes së Abazajt.
Kandidatura e Abazajt për të parin e Pejës pritet të sjellë zhvillime interesante në garën për kryetar dhe njëkohësisht të shfaqë një standard për këtë komunë të Dukagjinit, e cila tani e 12 vjet qeveriset nga LDK-ja dhe Gazmend Muhaxheri.
Kandidaturat e zyrtarizuara deri më tash për kryetar të Pejës janë: Gazmend Muhaxheri LDK, Ali Berisha AAK, Taulant Kelmendi LVV dhe Arta Vokshi Nallbani PDK.