Punëtorët e RTK-së qe dy javë pa paga, AGK-ja thirrje Qeverisë për ndarje të buxhetit
Foto: Laura Hasani

Punëtorët e RTK-së qe dy javë pa paga, AGK-ja thirrje Qeverisë për ndarje të buxhetit

Aktuale August 14, 2025 - 13:42

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është shprehur thellësisht i shqetësuar që 700 punëtorët e RTK-së vazhdojnë të mbesin pa pagë për muajin korrik.

Nga AGK-ja thonë se janë të brengosur për mirëqenien ekonomike të gjithë kolegëve, që nuk janë paguar për punën e tyre e që vazhdojnë ta kryejnë edhe gjatë muajit gusht.

“AGK-ja e fton Menaxhmentin e RTK-së që të intensifikojë përpjekjet për të siguruar buxhetin dhe të jetë transparent për veprimet e veta me të punësuarit e RTK-së. AGK-ja e sheh mosalokimin e buxhetit për pjesën e dytë të vitit për RTK-në si formë të presionit të shtuar politik ndaj Transmetuesit Publik nga ana e Qeverisë në detyrë”, thuhet në reagim.

Asociacioni tutje thekson se është koha e fundi që Qeveria të eksplorojë të gjitha mundësitë ligjore për të alokuar mjetet që i takojnë RTK-së.

AGK-ja shpreh solidaritet me kolegët e RTK-së, gjersa theksojnë se njohin punën e tyre të rëndësishme për informim në interes të publikut.