
Serbia thotë se ka arrestuar dy shqiptarë me pretendimin për krime lufte
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur të enjten se i ka ndaluar dy persona me inicialet X.E. dhe B.E. në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile.
Në komunikatën e ministrisë nuk është përmendur nacionaliteti i të ndaluarve.
Në të autoritetet serbe kanë thënë se dyshojnë që në vitin 1999 të ndaluarit e kanë kidnapuar një serb me inicialet J.M. në Rahovec, e kanë dërguar në një drejtim të panjohur dhe që prej atëherë nuk dihet asgjë për të.
Ministria serbe ka thënë se i ka ndaluar dy personat për 48 orë dhe më pas ata do të dalin para prokurorit të rastit.
UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake, e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.
Ky njoftim ka ardhur teksa në periudhën kur autoritetet serbe i kanë shpeshtuar ndalimet e shqiptarëve të cilët i akuzon se kanë bashkëpunuar apo kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, ose për arsye të tjera.
Më 22 korrik ato e kanë arrestuar Lulzim Halilin, nën dyshimet se ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Organizata e veteranëve të UÇK-së, e ka hedhur poshtë këtë pretendim. Më herët gjatë këtij muaji është ndaluar edhe Behar Preniqi në pikën kufitare Batrovci, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Akuza ende nuk është bërë publike.
Autoritetet e Kosovës i kanë konsideruar gjithmonë këto arrestime si arbitrare dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, në vitin 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare. /Radio Evropa e Lirë