
Çmimet e lira, jeta e natës dhe rinia - veçantitë e Prishtinës për të cilat foli mediumi rumun
Media rumune gsp.ro ia ka kushtuar një artikull Kosovës, në prag të ndeshjes mes Dritës nga Gjilani dhe FCSB-së së Bukureshtit.
Pavarësisht se Rumania nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ky portal rumun ka thurur lavde për vendin tonë.
Ata e kanë cilësuar Kosovën, në veçanti Prishtinën, si vendin më të lirë në Ballkan, duke theksuar çmimet e lira, jetën e natës dhe rininë.
Madje kanë bërë një krahasim me çmimet në Prishtinë me ato në Bukuresht, ku sipas tyre janë për afro 50 për qind më të larta.
Rumunët i kanë dhënë hapësirë të veçantë dhe kafeneve plot gjallëri, objekteve moderne në Prishtinë, si dhe veturat luksoze që janë shumë të shpeshta nëpër rrugët e kryeqytetit, transmeton Telegrafi.
Sa i përket sigurisë, Prishtina është cilësuar si një prej vendeve më të sigurta, madje më të sigurta se shumë qytete tjera evropiane, duke përfshirë Berlinin, Romën dhe Parisin.
Kur flitet për popullsinë, ata theksuan se pavarësisht se në Kosovë janë 95 për qind myslimanë, feja është diskrete, alkooli shitet kudo, ku burka është një gjë e rrallë dhe shumica e kosovarëve nuk e praktikojnë fenë.