
Ish-kandidati i LVV-së për kryetar të Klinës tërhiqet nga partia, thotë se demokracia më aty nuk ekziston
Lulzim Dragidella, ish-kandidat i Lëvizjes Vetëvendosjes për komunën e Klinës, ka vendosur të japë dorëheqje nga partia.
Sipas tij, ky vendim është i mirëmenduar dhe rezultat i një reflektimi të gjatë lidhur me ndryshimet në parti, raporton Zeri.info.
Dragidella pretendon se demokracia e brendshme në LVV është zbehur dhe se mënyra sesi trajtohen aktivistët nuk është e mirë.
“Mendimet e ndryshme, që dikur pasuronin debatin, sot shpesh trajtohen si rrezik për unitetin, në vend që të shihen si forcë e tij.
Në terren, sidomos në zona si Klina, kam parë një braktisje të angazhimit real me qytetarët. Struktura lokale shpesh lihet pas dore, njerëzit që japin kohën dhe mundin e tyre injorohen, ndërsa kontributet e sinqerta nuk vlerësohen. Kam parë shokë dhe kolegë që janë zhgënjyer deri në heshtje, sepse zëri i tyre nuk gjen hapësirë”, thuhet në reagimin e tij.
Sipas tij, një tjetër fakt që e ka çuar atë drejt këtij vendimi ka të bëjë me përjashtimin e aktivistëve të kamotshëm nga proceset vendimmarrëse për shkak të bindjeve të ndryshme që kishin.
“Po largohem sepse nuk dua të bëhem pjesë e një realiteti që nuk përfaqëson më idealet me të cilat fillova këtë rrugë. Po largohem sepse nuk dua të bëj kompromis me bindjet e mia për hir të pushtetit partiak. Po largohem sepse dua të jem i ndershëm – me veten time, me punën time dhe me qytetarët që më kanë dhënë besimin e tyre”, shprehet Dragidella. /Zëri