Ngjarja në Gjilan, babai i dëshmitares mohon se vajza e tij ishte e përfshirë në dhunën ndaj 13-vjeçares

Ngjarja në Gjilan, babai i dëshmitares mohon se vajza e tij ishte e përfshirë në dhunën ndaj 13-vjeçares

Aktuale August 14, 2025 - 11:31

Ditë më parë një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Gjilanit, ku një vajzë 13-vjeçare u bë viktimë e dhunës fizike nga një grup bashkëmoshataresh.

Një reagim ka ardhur nga Milot Mustafa, babai i një vajze që ndodhej në vendin e ngjarjes dhe ishte dëshmitare e sulmit.

Ai përmes një shkrimi dhe videoje të publikuar në rrjetet sociale ka sqaruar se vajza e tij nuk ka qenë pjesëmarrëse aktive në aktin e dhunës, por përkundrazi, ka qenë e kërcënuar nga grupi i vajzave që e ushtruan dhunën.

“Përmes kësaj videoje që po e shpërndaj, njoftoj opinionin publik që në skandalin e rrahjes ndaj një të miture në qytetin tonë, e përfshirë është edhe vajza ime. Vajza ime NUK KA USHTRUAR DHUNË ndaj askujt, ajo ka qenë e kërcënuar nga vajzat tjera, me therje, vdekje dhe maltretim, nëse nuk do i bindej urdhrave të adoleshenteve që dhunuan fizikisht 13-vjeçaren. Si prind, si qytetar i këtij qyteti, e kam për obligim ta bëj këtë sqarim publik, që vajza ime është e pafajshme, një viktimë tjetër e mundshme e dhunës apo larg qoftë e vrasjes, siç e tregon ajo në videon më poshtë, ku ndër tjera tregon edhe se si me forcat e saj u mundua ta ndihmojë viktimën”, deklaroi Mustafa.

Sipas tij, vajza e tij ka tentuar të ndihmojë viktimën me aq sa ka mundur, ndonëse edhe vetë ndodhej nën presion dhe frikë për sigurinë e saj.

Mustafa gjithashtu ka shprehur dhimbje të thellë për vajzën e sulmuar, duke e cilësuar si një fëmijë të edukuar dhe shembullor, dhe ka shprehur solidaritet me familjen e saj:

“Unë jam shumë i lënduar për vajzën që u sulmua, të cilën e njoh personalisht, atë dhe familjen e saj. Një familje shumë e respektuar në qytet, për edukatën që kanë dhe kontributin e dhënë në komunën tonë. Forma se si e kanë rritur vajzën është për t’u marrë shembull”, tha ai.

Mustafa po ashtu bëri thirrje për më shumë kujdes dhe përfshirje të prindërve në jetën e fëmijëve të tyre, duke nënvizuar rëndësinë e edukimit dhe dialogut brenda familjes.

“Kjo ngjarje edhe njëherë më ka kujtuar se sa shumë duhet të kalojmë kohë me fëmijët tanë, t’i marrim seriozisht problemet e tyre. U sugjeroj gjithë prindërve të kujdesen më shumë për fëmijët e tyre. Uroj që drejtësia ta thotë fjalën e fundit dhe raste të tilla të mos përsëriten më kurrë”.