
Si u lokalizua në Prishtinë Ramadan Morina, i dyshuari për pjesëmarrje në masakrën e Burimit
Më 11 gusht 2025 Ramadan Morina kaloi nga Serbia në Kosovë, me një veturë të tipit “Audi Q5”.
Ai kishte kaluar në pikën kufitare pa ndonjë problem, por informacionet e mëtejme tregonin se ky person po kërkohej nga Prokuroria Speciale për krime lufte, më saktë në masakrën e Burimit në Malishevë, ku ishin vrarë 44 burra.
“Gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale, duke përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
ATV ka raportuar duke u thirrur në burime të sigurta, për mënyrën se si Policia e Kosovës arriti ta kap të dyshuarin për krime lufte, Ramadan Morinën, pasi i njëjti veçse kishte kaluar pikën kufitare dhe kishte arritur deri në Prishtinë.
Sipas raportimit të këtij mediumi, pasi Morina kishte kaluar pikën kufitare dhe hetuesit kishin marrë informacionet nga institucionet e sigurisë në Kosovë, ata i ishin vënë pas të dyshuarit Ramadan Morina.
Gjithnjë sipas këtij raportimi, Policia kishte arritur ta lokalizonte veturën e Ramadan Morinës, e cila ishte në emër të djalit të tij, në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.
Sipas raportimit të mediumit, Policia kishte lokalizuar edhe të dyshuarin në fjalë, në banesën e vajzës së tij në këtë lagje të Prishtinës dhe i njëjti u arrestua rreth orës 5:00 të mëngjesit.