Bajrami: Kurti po i mban peng 700 punëtorë të RTK-së, Prokuroria Speciale të veprojë menjëherë
Foto: Laura Hasani

Bajrami: Kurti po i mban peng 700 punëtorë të RTK-së, Prokuroria Speciale të veprojë menjëherë

Aktuale August 14, 2025 - 10:47

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar për krizën financiare që është krijuar në Radio Televizionin e Kosovës.

Bajrami, përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se 700 punëtorët e RTK-së ende s’kanë marrë pagën e muajit korrik.

Bajrami thotë se 700 familje po presin nënshkrimin e kryeministrit në detyrë Albin Kurtit.

“Sot është data 14 gusht, por 700 punëtorë të Radio Televizionit të Kosovës ende s’kanë marrë pagën e muajit korrik. 700 familje po presin një nënshkrim nga Albin Kurti, i cili refuzon ta japë, pavarësisht se buxheti i RTK-së është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Bajrami.

Sipas Bajramit, është Kurti ai i cili ka vendosur t’i luftojë punëtorët e RTK-së.

“Për të gjithë ata që nuk e dinë, janë dy komuna: Prishtina dhe Gjilani, të cilave nuk u ka kaluar buxheti asnjëherë në Kuvendin e Kosovës (Prishtinës për shkak të neglizhencës së Hekuran Muratit) dhe Ministria e Financave u ndan çdo muaj 1/12 e buxhetit që e kanë pasur në vitin 2024, ndërsa Albini ka vendosur që t’i luftojë 700 punëtorë të RTK-së me justifikimin banal se Ligji nuk i lejon të ndajnë buxhetin për paga për punëtorët e RTK-së, sepse duhet drita e gjelbër nga Komisioni Parlamentar që nuk ekziston”, shtoi ajo.

Reagimi i plotë i Bajramit, pa ndërhyrje:

Sot është data 14 gusht, por 700 punëtorë të Radio Televizionit të Kosovës ende s’kanë marrë pagën e muajit korrik.

700 familje po presin një nënshkrim nga Albin Kurti, i cili refuzon ta japë, pavarësisht se buxheti i RTK-së është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Për të gjithë ata që nuk e dinë, janë dy komuna: Prishtina dhe Gjilani, të cilave nuk u ka kaluar buxheti asnjëherë në Kuvendin e Kosovës (Prishtinës për shkak të neglizhencës së Hekuran Muratit) dhe Ministria e Financave u ndan çdo muaj 1/12 e buxhetit që e kanë pasur në vitin 2024, ndërsa Albini ka vendosur që t’i luftojë 700 punëtorë të RTK-së me justifikimin banal se Ligji nuk i lejon të ndajnë buxhetin për paga për punëtorët e RTK-së, sepse duhet drita e gjelbër nga Komisioni Parlamentar që nuk ekziston.

Miliona euro ka ndarë qeveria jolegjitime e Albin Kurtit (janë jolegjitim nga data 15 prill kur janë betuar si deputetë), për projekte të dyshimta që askund nuk janë të specifikuara në Ligjin e Buxhetit, por ai ka vendosur t’i luftojë punëtorët e RTK-së, sepse pavarësisht se e kanë kapur bordin dhe menaxhmentin e RTK-së, po vuajnë që s’po mund t’i kontrollojnë të gjithë gazetarët aty.

Shihni një situatë të ngjashme në vitin 2021 se si është bërë zgjidhja, shihni vendimin e kryeministrit Hoti, as atëherë s’ka pasur Kuvend të konstituuar, por askush nuk ka mbetur pa pagë, askush asnjëherë nuk ka evidentuar asnjë shkelje në vendimin e asaj kohe.

Pra, siç po e shihni, nuk është Ligji, nuk është mungesa e Kuvendit, është Albin Kurti i cili po i mban peng 700 punëtorë të RTK-së, 700 familje.

Kjo nuk është vetëm padrejtësi – është abuzim me pushtetin.

Andaj i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të veprojë menjëherë dhe të lirojë institucionet nga uzurpatorët. /Zëri