
Krasniqi viziton Thaçin e Veselin: Drejtësia për çlirimtarët po afrohet
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e kuvendit, Kadri Veselin.
Ai ka thënë se ata po mbahen padrejtësisht në paraburgim tash e afro pesë vjet, raporton Zeri.info.
“Nuk mund të jetë ndryshe për ta dhe shokët e tyre, që mbi supet e veta bartën vetëm atë që populli kërkoi: luftën për liri. Liria, askund e asnjëherë, nuk është as mëkat e as faj. Ata janë mirë, optimistë dhe, si gjithmonë, dërgojnë përshëndetjet më të ngrohta për secilin prej jush.
Janë me Kosovën në çdo orë e çdo ditë. Gëzojnë për çdo lajm të mirë dhe ndajnë dhembjen me ne kur lajme të tjera rëndojnë mbi popullin tonë. Por, mbi të gjitha, besojnë fuqimisht në një të ardhme më të ndritur për vendin tonë, një të ardhme që ndërtohet me punë, me vizion dhe me vullnet të pathyeshëm”, shkroi Krasniqi ndër tjera.
Ai u shpreh i bindur se ata do të dalin faqebardhë dhe se drejtësia do të triumfojë. /Zëri