
Gjyqtari i Kushtetueses në BIA? – Prokuroria Speciale e Gjykata nuk e komentojnë
Ndonëse aktgjykimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese kanë nxitur reagime të shumta, akuzat në drejtim të anëtarëve të saj, nuk po i bëjnë përshtypje këtij institucioni.
Një herë Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e të dielën, ministrja e Drejtësisë, ngriti shqetësime serioze lidhur me integritetin dhe sigurinë kombëtare të përfaqësuar nga një prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, konkretisht gjyqtari Radomir Llaban.
Sipas saj, duke u thirrur në informata të organit më të lartë të sigurisë, AKI, Laban dyshohet që është bashkëpunëtor i Inteligjencës serbe BIA e i afërt me të kërkuarin e organeve të Kosovës, Milan Radoiçiqin.
Për këto pretendime të hënën nuk është deklaruar Gjykata Kushtetuese pavarësisht insistimit të televizionit.
Por as edhe Prokuroria Speciale nuk është përgjigjur nëse ka ndonjë hetim ndaj Labanit.
Pavarësisht të gjithave, njohësi i sigurisë, Fadil Kajtazi pretendimet e shpalosura pa asnjë fakt nga ana e ministres në detyrë po i konsideron skandal.
“Është skandal në vetvete për arsye se… Skandalin fillimisht e ka bërë Presidentja kush e tërhoqi kërkesën nga Gjykata Kushtetuese, pastaj skandali është më i madh kur deputetja Haxhiu thotë se ai është bashkëpunëtor i Radoiçiq-it. Ajo nuk e saktëson nëse është agjent i BIA-s por e len me nënkuptu këtë cështje, në realitet kjo është një dekonspirim të një procesi që hipotetikisht është duke e zhvilluar AKI-ja”, ka thënë Kajtazi
Madje sipas Kajtazit nëse nuk sigurohen fakte për pretendimet e ngritura, Haxhiu e Osmani rrezikojnë të përballen me ligjin.
“Nëse nuk sigurohen prova që zoti Laban të dërgohet para drejtësisë atëherë zoti Laban ka të drejtën e gjithë botës ta padisë për shpifje edhe Presidentën edhe deputetën Haxhiu”, ka shtuar Kajtazi.
Haxhiu të dielën ndër të tjera ka bërë thirrje që Prokuroria të nisë hetimet, apo nëse i ka nisur të tregojë publikisht për këtë.
Ajo po ashtu ka ftuar Gjykatën Kushtetuese të nisë procedurën për shkarkimin e Labanit./dukagjini