Çitaku: Me instruksione të Kurtit, Dehari e shkeli me të dy këmbët Kushtetutën
Foto: Laura Hasani

Çitaku: Me instruksione të Kurtit, Dehari e shkeli me të dy këmbët Kushtetutën

Aktuale August 11, 2025 - 18:32

Sekretarja e Përgjithshme dhe deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se për partinë të cilës ajo i takon, edhe vendimi paraprak i Gjykatës Kushtetuese ka qenë i qartë për sa i përket konstituimit të kuvendit.

Çitaku tha se këtë radhë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është kristal i qartë dhe se tregon që kryesuesi Avni Dehari, me instruksione të kreut të VV-së, Albin Kurtit, e ka shkelur me të dy këmbët Kushtetutën e Kosovës.

“Këtë radhë, mbase edhe të nxitur nga reagimet karshi vendimit të mëparshëm, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, së paku pjesa e dispozitivit të publikuar, ishte kristal i qartë. Thuhej pa ambiguitet që kryesuesi ka bërë shkelje, pra Dehari qartazi me instruksione të Albin Kurtit dhe VV-së ka shkelur me të dy këmbët Kushtetutën e Kosovës, Rregulloren e Kuvendit dhe aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

“Përtej situatës së krijuar tash e disa muaj, përtej krizës politike, kjo nuk është produkt i mosmarrëveshjeve të thjeshta me njëri-tjetrin. Këtu kemi të bëjmë me një krizë të thellë shoqërore, morale, me një përpjekje të VV-së për ta delegjitimuar çdo institucion”, tha Çitaku në Klan Kosova.

Tutje, ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje është një grupim politik që sipas saj, synon që mendimin ta imponojnë dhe synon ta legjitimojë nënshtrimin si instrument të politikëbërjes.