Haxhiu: Vetëm katër të dënuar për fajde në Kosovë, ky realitet është alarmues
Foto: Laura Hasani

Haxhiu: Vetëm katër të dënuar për fajde në Kosovë, ky realitet është alarmues

Aktuale August 11, 2025 - 18:21

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu ka shprehur shqetësimin për neglizhencën e institucioneve të drejtësisë në rastet e veprës penale “Fajdeja”.

Sipas saj, nga nga 1752 persona që mbahen në institucionet korrektuese të Kosovës, prej tyre vetëm 4 janë të dënuar për fajde, raporton Zeri.info.

“Ky realitet është alarmues dhe tregon që pavarësisht ndikimit të madh që këto vepra kanë mbi jetën e qytetarëve, pasojat e tyre sociale dhe shpesh edhe tragjike, sistemi ynë i drejtësisë nuk po i trajton me seriozitetin dhe vendosmërinë që kërkohet”, u shpreh Haxhiu.

Ministrja në detyrë, ka kërkurar që të rishikohen politikat ndëshkimore dhe të forcohet aspekti i hetimeve dhe ndjekjes penale për veprën penale të fajdes.

“Këto nuk janë thjesht vepra të izoluara, janë pjesë e një zinxhiri kriminal që godet më të pambrojturit dhe kontribuon në një ndjenjë të thellë padrejtësie në shoqëri. Rastet e fundit tragjike janë një dëshmi e qartë për pasojat që sjell neglizhenca institucionale ndaj këtyre fenomeneve”, thuhet në reagimin e Haxhiut. /Zëri