Prishtina promovon gjidhënien me mural në qendër të qytetit

Prishtina promovon gjidhënien me mural në qendër të qytetit

Aktuale August 11, 2025 - 15:37

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC) dhe Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prishtinës promovuar të hënën një mural në qendër të kryeqytetit për të inkurajuar gjidhënien si akt natyral dhe i shëndetshëm.

Murali shumëngjyrësh, i punuar nga artistja Ermira Murati, e njohur si “Orange Girl”, është vendosur përpara Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Organizatorët theksuan se në një kohë kur gjidhënia po bëhet më e rrallë në Kosovë qëllimi i muralit është të rrisë ndërgjegjësimin për përfitimet e saj, duke përfshirë forcimin e imunitetit të foshnjave, zhvillimin e trurit dhe reduktimin e infeksioneve.

Image

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se gjidhënia është një lidhje e rëndësishme për shëndetin e nënës dhe fëmijës.

“Ndërlidhja e fëmijës me nënën është një ndërlidhje jo vetëm fizike por është një ndërlidhje edhe mendore, edhe psiqike. Pra edhe për nënën edhe për fëmijën. Është një stimulim i një rritjeje të një fëmije të shëndoshë edhe në aspektin fizik edhe në aspektin psiqik, për këtë arsye gjidhënia është me rëndësi shumë të madhe. Kjo vepër e artit sot është një ide për të stimuluar edhe më shumë gjidhënien nga nëna”, tha ai.

Drejtoresha Ekzekutive e AMC dhe këshilltare e gjidhënies në La Leche League Kosova, Rina Demiri Spahija, e cilësoi muralin si një angazhim për t’u gjendur pranë çdo nëne.

“Ky mural sot nuk është vetëm ngjyra muri por është një premtim publik, që do t’i premtoj çdo nëne që do t’i japim informacion në kohë, në kohë që ju duhet më së shumti, do t’ia japim informacionin e duhur dhe me inkurajimin më të butë të mundshëm dhe me motivimin e vazhdueshëm”, u shpreh ajo.

Artistja Ermira Murati tha se ky krijim është një homazh për forcën dhe dashurinë e nënave.

“Nuk është vetëm një mural, është një akt ose njëkohësisht është një homazh i forcës, sfidës, i dashurisë që vetëm nëna dinë me e dhënë këtë më së miri”, tha Murati.