
Arben Kingji edhe një mandat shef i Shtabit i Forcave të Shqipërisë
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi sot gjenerallejtnant Arben Kingji në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për një mandat të dytë.
Ceremonia nisi me ekzekutimin e Himnit Kombëtar dhe vijoi me leximin e dekretit të Presidentit të Republikës për emërimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Emërimi i tij vjen në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.
Pas leximit të dekretit, Gjeneral Lejtnant Arben Kingji bëri betimin me dorën mbi Kushtetutë.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kingji siguroi se do të vazhdojë me vendosmëri punën për transformimin e FA në një institucion të fuqishëm, profesional dhe të gatshëm për të përmbushur detyrat kombëtare dhe ato të angazhimeve ndërkombëtare, me synim ruajtjen e respektit dhe dinjitetit për çdo anëtar të Forcave të Armatosura.
“Forcat e Armatosura do të vazhdojnë të zhvillohen dhe të integrohen në mënyrë të qëndrueshme, duke garantuar realizimin profesional të detyrave dhe kontributin tonë për paqen dhe sigurinë, përmes angazhimit në misione dhe operacione në kuadër të Aleancës së NATO-s, Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara dhe iniciativave rajonale”, u shpreh ai.
Kingji siguroi aleatët strategjikë dhe partnerët ndërkombëtarë se bashkëpunimi, si në kuadër të Aleancës së NATO-s, ashtu edhe përmes marrëveshjeve dypalëshe, do të mbajë një rol kyç në zhvillimin dhe zbatimin e angazhimeve tona ushtarake dhe gjeostrategjike.
Në ceremoninë e betimit të shefit të Shtabit të Përgjithshëm mori pjesë ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, si dhe komandantët e forcave dhe strukturave të tjera të Forcave të Armatosura. /ATA