Osmani i kërkon Gjermanisë mbështetje për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës
Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani i kërkon Gjermanisë mbështetje për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës

Aktuale August 11, 2025 - 12:09
Osmani: Gjermania është shtyllë strategjike për paqen dhe stabilitetin në Ballkan

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka pritur në takim drejtorin për Ballkan Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, me fokus te zhvillimet rreth konstituimit të Parlamentit.

Image

Po ashtu, u diskutua për forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik dhe fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Presidentja Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim të thellë me Qeverinë e kancelarit Merz. Më tej, Presidentja Osmani vlerësoi rolin jetik të Gjermanisë në mbrojtjen e vlerave demokratike, unitetit transatlantik dhe sigurisë evropiane. Presidentja Osmani nënvizoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet shtyllë strategjike për Kosovën në ruajtjen e stabilitetit rajonal, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

E para e shtetit kërkoi mbështetjen e vazhdueshme të Berlinit për integrimit e plotë ndërkombëtar të Kosovë e në veçanti në Këshillin e Evropës, duke njohur rolin e Gjermanisë në Këshill dhe rëndësinë e këtij procesi për forcimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Në takim, Presidentja theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e avancimit të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, duke elaboruar qartë kontributin që një e tillë do të kishte në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në rajon e Evropë”, thuhet tutje në njoftim.

Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Presidentja theksoi nevojën për qartësi strategjike, afate të përcaktuara dhe objektiva të qarta, duke theksuar se normalizimi nënkupton njohjen reciproke dhe respektimin e integritetit territorial e rendit kushtetues të Kosovës.

Në takim Presidentja foli edhe për rëndësinë e largimit të plotë të masave të padrejta, duke theksuar që Gjermani mund të luajë rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

Presidentja Osmani dhe z. Reiffenstuel diskutuan edhe për mënyra konkrete të bashkëpunimit bilateral, me ç’rast konfirmuan se takime të këtilla dhe vizitat e nivelit të lartë kontribuojnë drejtpërdrejt në realizimin e objektivave të përbashkëta.

Image