
Temperatura përvëluese këtë javë, bëhet thirrje për kujdes të shtuar
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave, nga e hëna në të premten, vendi do të ndikohet nga masa të nxehta ajri afrikane, të shoqëruara me temperatura të larta.
IHMK-ja thekson se kushtet e motit do të karakterizohen nga vapë e fortë, andaj rekomandohet kujdes i shtuar nga rrezet e diellit, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.
“Qëndroni të hidratuar dhe shmangni ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut (11:00 – 17:00)”, thuhet në njoftim.
Dita e hënë, 11 gusht, do të përcillet me mot me diell dhe vranësira të pakta. Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14 e 18° C, derisa ato maksimale 33 deri 37° C.
Të martën po ashtu do të ketë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do lëvizin nga 12 deri 17° C, derisa ato maksimale nga 31 deri në 35° C.
E mërkura do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. IHMK-ja bën të ditur se temperaturat minimale do të jenë nga 14 deri në 18° C, derisa ato maksimale nga 32 deri në 36 gradë Celsius.
Dita e enjte do të jetë po ashtu kryesisht me diell. Temperaturat minimale do lëvizin nga 13 deri 17° C dhe ato maksimale nga 31 deri në 35° C.
E premtja gjithashtu do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të pakta parashihen për rreth relievit malor. Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të jenë prej 13 deri 17° C dhe ato maksimale nga 31 deri 35° C. /Zëri