
Bajrami: As Osmanit, e as LVV-së s’iu pengoi përbërja e Kushtetueses kur e rrëzoi qeverinë në vitin 2020
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas konferencës që ka mbajtur ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban dyshohet se është bashkëpunëtor i BIA-s, ka raporte të afërta me Millan Radoiçiqin, shkruan Zeri.info.
Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Bajrami ka thënë se, as Vjosa Osmanit, e as Lëvizjes Vetëvendosje, në vitin 2020 nuk i ka penguar përbërja e Gjykatës Kushtetuese, në kohën kur u rrëzua Qeveria e atëhershme e udhëhequr nga LVV-ja dhe LDK-ja.
Sipas Bajramit, në atë kohë as Osmani dhe as LVV-ja nuk e kanë thënë as edhe një fjalë të vetme.
Reagimi i plotë i Bajramit, pa ndërhyrje:
FAKTE:
As Vjosa Osmanit, as LVV-së nuk iu ka penguar përbërja e Gjykatës Kushtetuese kur kjo Gjykatë ka rrëzuar qeverinë në vitin 2020, asnjë zë, asnjë fjalë në atë kohë.
Albulenë,
Sulmet që ju bëni gjykatave tregojnë më shumë për ju sesa për gjykatat. Po i bëni gati 5 vjet në krye të Ministrisë së Drejtësisë dhe, përpos sulmeve ndaj gjykatave, asnjë punë, asnjë reformë s’ta mban kush mend.
Mos mendoni që kemi harruar, të gjithëve na kujtohet se si pas sulmit terrorist në Banjskë, Radojçiqit iu krijua një korridor dhe ai iku në pikë të ditës nën vëzhgimin e kamerave dhe deri më sot asnjë shpjegim s’ka dhënë qeveria e LVV-së.
Për më tepër, qeveria e LVV-së pas sulmit terrorist në Banjskë ka pasur mundësi që ta shpallë organizatë terroriste Listën Serbe, por nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe sot provoni të shisni patriotizëm dhe, sa herë që ndonjë vendim i ndonjë institucioni nuk ju pëlqen, disi tentoni ta lidhni me Serbinë dhe Radojçiqin.
Mos se po ju njohim!
Po shihet sheshazi se ju LVV dhe Vjosa Osmani po e doni Gjykatën Kushtetuese pa kuorum. Veç na tregoni pse?
Se kjo veç Kosovës nuk i shkon për shtati.
Në fund, sa i përket njoftimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, kujt po i shisni përralla, oj zonjë?
Votimi i fshehtë 48 herë është refuzuar nga shumica e deputetëve të Kuvendit. Ndërsa ju vetë, zonja Haxhiu, keni dështuar 6 herë në votim të hapur dhe 48 herë në votim të fshehtë. Vota jonë kundër komisionit për votim të fshehtë ka qenë votë kundër komisionit, votë kundër votimit të fshehtë dhe votë kundër jush për kryetare të Kuvendit. /Zëri