
Ambasadori suedez për krizën politike: Situata mund të shfrytëzohet nga mosnjohësit e pavarësisë
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se Kosova ndodhet në një situatë të ndjeshme, të cilën mund ta shfrytëzojnë shtetet që nuk e njohin pavarësinë e saj.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se vendi ka arritur shumë që nga lufta, por procesi “nuk ka përfunduar ende”.
Westerlund ka kujtuar eksperiencën e Suedisë në vitin 2018, kur formimi i qeverisë zgjati disa muaj, por përmes dialogut dhe kompromisit u arrit një marrëveshje.
“Por nuk kam parë kaq shumë dialog mes partive politike (në Kosovë) për të arritur marrëveshje. Kjo mungon, kompromisi nuk është diçka negative”, ka theksuar ai.
“Siç kam thënë më parë, ka shumë demokraci perëndimore ku formimi i qeverisë zgjat dhe përbën sfidë. Por problemi me Kosovën është se ajo ndodhet në një pozicion shumë të ndjeshëm. Është demokracia më e re në Evropë dhe nuk është anëtare e strukturave euro-atlantike, ndaj është më e cenueshme. Kjo situatë ndikon në disa fusha. Së pari, rrezikohet lidhja mes votuesve dhe udhëheqësve politikë nëse këta të fundit nuk arrijnë të përmbushin premtimet e tyre. Së dyti, funksionimi i shtetit demokratik është në rrezik – aktualisht, rreth 17 institucione nuk po funksionojnë si duhet, dhe kjo është një rrugë shumë e rrezikshme për Kosovën”, tha ambasadori.
“Sa i përket situatës, ne patëm diçka të ngjashme në Suedi në 2018, ku dy koalicione ishin shumë afër me mandate, por asnjëra nuk kishte shumicën absolute. Na duheshin disa muaj për të gjetur një zgjidhje, por në fund arritëm kompromis. Ajo që bëhej ishte që partitë politike diskutonin vazhdimisht, orë të tëra bisedimesh për të gjetur një platformë të përbashkët dhe zgjidhje. Nuk e di se çfarë ndodh pas skenave këtu, por nuk kam parë kaq shumë dialog mes partive politike për të arritur marrëveshje. Kjo mungon, kompromisi nuk është diçka negative,” shtoi ambasadori për EO.
“Do thosha se Kosova është demokracia më e re në Evropë dhe ka arritur shumë që nga lufta, por procesi nuk ka përfunduar ende. Nuk është njohur nga të gjitha shtetet anëtare të komunitetit ndërkombëtar dhe as nga shumë organizata ndërkombëtare. Pra, është një histori suksesi, por ne ende nuk jemi në një pozicion të stabilizuar. Për këtë arsye, Kosova është në një situatë të ndjeshme tani dhe kjo mund të shfrytëzohet nga ata që nuk e mbështesin pavarësinë e saj. Këtë duhet ta kemi parasysh”, theksoi ambasadori Westerlund.