
Zjarri masiv në jug të Shqipërisë rrezikon hidrocentralin e Bistricës, evakuime në Livinë dhe Ardhasovë
Ekipet zjarrfikëse dhe forcat operacionale në zonën e Finiqit patën një natë sfiduese, ku disa vatra zjarri të përhapura nga era e fortë kanë rrezikuar banorët.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi përmes një postimi në Facebook se ekipet e zjarrfikësve janë përballur me një situatë të rënduar në disa fshatra të jugut.
“Një natë tepër sfiduese në Finiq, ku ekipet zjarrfikëse të bashkive Finiq, Delvinë, Konispol dhe Sarandë, të mbështetura nga 5 zjarrfikëse dhe 70 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe 20 efektivë të Policisë së Shtetit, u përballën pareshtur me vatrat”, shkroi ai.
Zjarret kanë përfshirë zonat: Velahovë, Livinë, Ardhasovë, Bistricë dhe Krongj
Për shkak të rrezikut të menjëhershëm, është bërë evakuimi i përkohshëm i banorëve në fshatrat Livinë dhe Ardhasovë.
Ministri Vengu shtoi se janë marrë masa për asistencë mjekësore, sidomos për personat e moshuar, ndërkohë që “forcat operacionale dhe ato vullnetare siguruan mbrojtjen e çdo banese dhe biznesi të rrezikuar”.
Situata është bërë më kritike në orët e para të mëngjesit, kur flakët kanë rrezikuar Hidrocentralin e Bistricës.
“U realizua një operacion i suksesshëm për të parandaluar përhapjen e flakëve që rrezikonin hidrocentralin e Bistricës, ku në këto momente pritet të ndërhyhet gjithashtu nga ajri,” bëri të ditur ministri.
Për shkak të situatës, qarkullimi i mjeteve në aksin Muzinë–Bistricë mbetet i kufizuar deri në përfundim të operacioneve.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat mbështetëse vijojnë të jenë në gatishmëri, për të monitoruar çdo hapësirë të rrezikuar nga riaktivizimi i vatrave, për shkak të erës dhe temperaturave të larta.