Rrustemi: Gjykata Kushtetuese ka tejkaluar rolin kushtetues
Foto: Laura Hasani

Rrustemi: Gjykata Kushtetuese ka tejkaluar rolin kushtetues

Aktuale August 09, 2025 - 21:36

Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje i është kundërpërgjigjur deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda. Rrustemi ka thënë se juristi i gjithëdijshëm i PDK-së porsi zëdhënës i Gjykatës Kushtetuese paska thënë se: “Gjykata Kushtetuese ka vendosur numrin ‘tri herë’” sepse “Kushtetuta e Kosovës parashikon tre raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit”.

Rrustemi ka shkruar “A po, Profesor? Po të vlente kjo analogji brilante, votimi i fshehtë do të duhej të lejohej bazuar në të njëjtën logjikë”.

Ai ka thënë pa dyshim se kushtetutat duhet të ndjekin dinamikat shoqërore, por rruga e vetme është amendamentimi i tyre në rrugë kushtetuese, e kurrsesi përvetësimi i kompetencave të ligjbërësit nga organi që kontrollon kushtetutshmërinë dhe interpreton Kushtetutën.

“E dukshme si në qiell të pastër se Gjykata Kushtetuese ka tejkaluar autorizimet dhe rolin kushtetues duke rrezikuar parimin e ndarjes së pushteteve. Pikërisht se kjo as nuk fshihet e as nuk mund të justifikohet, shohim reagime të tilla me idenë se po ndihmojnë sado pak Gjykatën në këto rrethana të vështira kredibiliteti. Nuk ka qëllim sado i lartë që e justifikon veprimin e fundit të Gjykatës për ta plotësuar Kushtetutën. As fakti që Gjykata është interpretuesi përfundimtar nuk i jep të drejtë për arbitraritet, përkundrazi. Aq më keq kur ky tejkalim i kompetencave po bëhet për të ushqyer planin destruktiv të opozitës si mohim i të drejtave të fituesit të zgjedhjeve”, ka shkruar ai.