Grenell: Thaçi është peng i Speciales, akuzat janë çmenduri politike
Foto: Laura Hasani

Grenell: Thaçi është peng i Speciales, akuzat janë çmenduri politike

Aktuale August 09, 2025 - 20:38

Richard Grenell, përfaqësuesi special i presidentit amerikan, Donald Trump, e ka komentuar protestën e mbajtur të enjten kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale, duke thënë se ishte inkurajuese për të.

Grenell tha se Gjykata speciale është një njollë e madhe për evropianët duke lejuar që ish-krerët e UÇK-së të mbahen për më shumë se pesë vjet në paraburgim.

“Ky nuk është një sistem i drejtë i drejtësisë. Kur mbani dikë për kohë kaq të gjatë në burg me akuza të çmendura politike, unë mendoj se kjo është më shumë koment për ndjekjet politike penale që evropianët po i bëjnë, po e ndjekin se çfarë ka bërë e majta amerikane ndaj Trumpit, e dimë që është i njëjti person, Jack Smithi, i besuari i Joe Biden”, ka thënë Grenell në një intervistë për klankosova.

“Dhe pasi ia ka bërë këtë Hashim Thaçit, Joe Bideni e ka marrë për t’ia marrë të njëjtën Donald Trumpit. Pra, është i njëjti grup i njerëzve që kanë ndërmarrë ndjekje politike gjithandej Evropës dhe kjo është e tmerrshme dhe flet shumë më shumë për Brukselin, shumë më shumë për Hagën, shumë më shumë për natyrën politike të Evropës. Shikojeni, një nga gjërat që duhet ta bëjë Evropa është që duhet të përqendrohet në ekonomi dhe më pak në politikë”, tha Grenell.

Tutje, Grenell e konsideroi se ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, është peng i Gjykatës Speciale dhe sipas tij, duhet dëgjuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, i cili po ashtu ka thënë se Thaçi është peng i Speciales.

“Po, me siguri konsideroj që çfarë i kanë bërë në pesë vitet e fundit është mu të qenit peng. Është një situatë e tmerrshme dhe duhet ta dëgjoni Edi Ramën. Mendoj se duhet t’i dëgjoni njerëzit gjithandej Evropës të cilët kanë filluar të thonë se kjo është e papranueshme. Nëse doni një sistem të drejtë të drejtësisë, kjo është tmerrësisht e gabuar”, tha Grenell.