Grenell: Zgjidhjet politike bëhen përmes zhvillimit ekonomik
Foto: Laura Hasani

Grenell: Zgjidhjet politike bëhen përmes zhvillimit ekonomik

Aktuale August 09, 2025 - 20:20

Përfaqësuesi special i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell, në intervistën ekskluzive për gazetaren e Klan Kosovës, Jehona Bajrami-Gashi, ka folur për çështjen e njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Grenelli tha se për mendimin e tij personal, ideja e njohjes së ndërsjellë është qesharake, pasi tha se të rinjtë duan vende pune.

“Unë mendoj, ky është mendimi im personal, ideja e njohjes së ndërsjellë është qesharake. Pse e mbajmë këtë dialog politik që ‘ju duhet të më pëlqeni mua dhe unë duhet të iu pëlqej juve’. Të rinjtë duan vende pune”.

“Mendoj që duhet të kërkoni zhvillim ekonomik dhe vende pune për të rinjtë në Kosovë. Por, politikanët përqendrohen në këtë njohje të ndërsjellë, jo në vende pune”, tha Grenell, njofton klankosova.

Tutje, Grenell u shpreh se zgjidhjet politike bëhen përmes zhvillimit ekonomik, dhe sipas tij, kjo ndodh kur njerëzit kanë vende pune dhe nuk rrinë ulur duke folur për politikë.

“Mendoj se ju mund të siguroheni që ju të mos keni kërcënime. Por, nuk e keni një sistem ku duhet ta kërkoni këtë njohje të ndërsjellë. Kjo është politikanët duke u munduar që të bëjnë zgjidhje politike”.

“Mendoj që zgjidhjet politike bëhen përmes zhvillimit ekonomik, kur njerëzit kanë vende pune, shpresë dhe të ardhme, ku nuk rrinë ulur dhe flasin për politikën”, tha Grenelli.