
Djali i Jakup Krasniqit: Babai im nuk e votoi Specialen
Djali i Jakup Krasniqit, njëherësh, deputeti nga radhët e PDK-së, Altin Krasniqi ka reaguar me një postim në Facebook pas një videoje ku siç pretendohej, shfaqej Jakup Krasniqi duke votuar për formimin e Gjykatës Speciale.
Me anë të një postimi në Facebook, ai ka shkruar se video-ja mbetet propagandë dhe se ky i fundit nuk ishte duke votuar për formimin e Gjykatës Speciale.
“Propaganda më e madhe e militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje është një video e vitit 2013, kur po votohej një marrëveshje krejt tjetër dhe jo Gjykata Speciale. Babai im, Jakup Krasniqi, nuk e ka votuar Gjykatën Speciale, e cila është votuar në vitin 2015, kohë kur ai nuk ka pasur asnjë funksion institucional. Sot nuk ka rëndësi pse u votua Gjykata Speciale dhe nuk duhet të politizohet kjo temë; ajo që kërkohet sot është që të mos deformohet e vërteta dhe që Gjykata Speciale të i përmbahet ligjeve të Republikës së Kosovës dhe konventave për të drejtat e njeriut.”, ka shkruar Krasniqi.
Mes të tjerash, ai ka thënë se duke lënë anash mënyrën se si u formua, kërkesa e tij mbetet po e njëjta.
“Pavarësisht bindjeve politike, unë gjithmonë do të kërkoj drejtësi, sepse e di që lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe se UÇK-ja nuk i ka ikur kurrë drejtësisë, por gjithmonë i ka luftuar padrejtësit. Ne kërkojmë vetëm drejtësi, të bazuar në fakte dhe në standarde evropiane.”, ka shkruar Krasniqi.
Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Për ta, mijëra qytetarë protestuan të enjten në Prishtinë “kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.