Shoqata e Pacientëve: Mungesë barnash esenciale, por edhe transparence për to
Foto: Laura Hasani

Shoqata e Pacientëve: Mungesë barnash esenciale, por edhe transparence për to

Aktuale August 09, 2025 - 09:26

Mungesa e barnave esenciale në institucionet publike përbën një shkelje të dyfishtë për pacientët, të cilët detyrohen t’i blejnë barnat në treg të lirë, vlerëson Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.

Ai në intervistë për Ekonomia Online vuri në dukje mungesën e transparencës për furnizimin real me barna dhe shtoi se institucionet nuk ofrojnë të dhëna të sakta për përqindjen e mbulimit.

“Ka mungesë të barnave, megjithëse ka pasur një përmirësim të lehtë të rritjes së buxhetit. Ajo çka është problematike është se asnjëherë nuk ka transparencë se me cilat barna janë të furnizuara dhe cilat mungojnë. Kjo gjithmonë krijon një habi se sa është furnizimi me barna. Shto kësaj se asnjëherë nuk dinë të përgjigjen institucionet kur flasim për përqindjen e furnizimit dhe kjo shkakton komplikime. Po flasim për një listë esenciale të barnave, të cilat do të duhej të përmbusheshin 100 për qind. Ndryshe nuk mund të konsiderohen esenciale. Paradoksi i kësaj pastaj është se kur kemi një listë esenciale, e cila nuk përmbushet dhe në anën tjetër kemi një komision që vazhdimisht shton barna në listën esenciale, vetëm se rritet vakumi i papërgjegjshmërisë së institucioneve ndaj pacientëve”, tha Kodra.

Ai tha se një pjesë jo e vogël të shpenzimeve për barna në Kosovë mbulohen nga vetë qytetarët, gjë që rëndon gjendjen ekonomike të tyre.

“Kjo është një shkelje e dyfishtë për pacientët. Ai ka paguar taksa, kur shteti ka kërkuar ato me qëllim që ato t’i kthejnë në shërbime e ato nuk janë kthyer dhe ai duhet të dalë në treg të lirë dhe të blejë barna, të cilat shpeshherë dinë të zhytin në shpenzime varfëruese ose katastrofike. Kjo është shumë shqetësuese, sepse në raportet e Bankës Botërore dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë thuhet se rreth 40 për qind janë pagesat nga xhepi. Sa më shumë të jetë pagesa nga xhepi, aq më e rëndë bëhet gjendja ekonomike”, shtoi ai.

Kodra gjithashtu kritikoi shtimin e barnave në listën esenciale pa u siguruar mbulimi i atyre ekzistuese.

“Është një listë shumë e gjerë e barnave, të cilat pacientët nuk duhet t’i blejnë, ato të cilat rrezikojnë shëndetin dhe jetën e pacientëve. Por, lista është e gjatë. Nuk mund ta shpjegojmë, sepse është numër shumë i madh, sepse në secilën lëmi janë barna që do të duhej të ishin nëpër QMF, QKUK. Mungesa e transparencës se sa po furnizohet jep pasqyrë të turbullt, por sipas hulumtimeve rreth 3 për qind është më mirë qasja në barna krahasuar me vitet paraprake”, tha për Ekonomia Online, Kodra.