Zgjedhjet e 12 tetorit, KQZ-ja fton diasporën në takime informuese
Foto: Laura Hasani

Zgjedhjet e 12 tetorit, KQZ-ja fton diasporën në takime informuese

Aktuale August 08, 2025 - 17:48

Duke filluar nga data 11 deri më 29 gusht  gjatë ditëve të punës (e hënë – e premte), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ftuar diasporën në takime për t’u informuar për procesin zgjedhor.

KQZ njofton se gjatë këtyre ditëve, nga ora 11:00 – 14:00, shtetasit e Kosovës që jetojnë në diasporë, mund të vizitojnë selinë e saj dhe zyret e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për t’u informuar për procesin e Zgjedhjeve Lokale, me theks të veçantë për regjistrimin dhe votimin jashtë vendit, transmeton Klankosova.tv.

Selia qendrore e KQZ-së ndodhet në rrugën “Migjeni”, nr. 21, ndërkaq, adresat e 38 Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve mund t’i gjeni këtu: https://kqz-ks.org/adresat-e-zyrtareve-komunal/

KQZ njofton se është duke vazhduar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Kjo periudhë, e cila ka filluar më 23 korrik, do të përfundojë më 29 gusht 2025.

“Për dallim nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet Lokale votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përcaktohet se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh”.

“Periudha e votimit përmes postës do të fillojë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025. Kjo periudhë do të vlejë vetëm për shtetasit që do të arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (23 korrik – 29 gusht 2025)”, njofton ky komision.