
Abdixhiku e quan vendimin e Kushtetueses “fitore për demokracinë dhe Republikën”
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka thënë sot se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është fitore e madhe për demokracinë dhe Republikën.
Sipas Abdixhikut, vendimi u dha të drejtë të plotë kërkesave të tyre dhe lëndës së hartuar nga partia e tij, transmeton Zeri.info.
Shkrimi i plotë i Abdixhikut:
Një fitore e madhe e demokracisë!
Një fitore e madhe Republikës!
Gjykata Kushtetuese u dha të drejtë të plotë kërkesave tona dhe lëndës së hartuar nga LDK-ja.
Siç e kishim thënë, sa e sa herë, partia e parë kishte uzurpuar foltoren, me imponim kishte ndryshuar rendin e ditës dhe me kokëfortësi për plot 48 herë kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës duke insistuar në votimin e fshehtë - para dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Votimi i fshehtë nuk pranohet.
Jo kushtetues i konstatuar! Urdhëroheni të mundësoni demokracinë në Republikën e lirë të Kosovës.
Ky është verdikti sot.
Ky ishte qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga dita e parë e deri më sot.
Fatkeqësisht, Kosova humbi kohë. Sot bëhen plot 180 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve. Gjysmë viti i humbur nga ata që imponimin e kanë si vlerë e përçmimin si metodë - gjithsesi paditurinë për të lexuar Kushtetutën e vendimet e saja si mburrje.
Dritë, megjithatë, do të ketë.
Sepse ky vend ka mjaft patriotë që e ruajnë atë; dhe atë në mënyrën e vet. Dhe sado i vështirë e i mundimshëm të duket ky mision, është jetike të mos bëhemi si ta. Ne, duhet të luftojmë për të vërtetën - duke qenë vetja! Sepse popullistët nuk fitojnë kur janë shumë, por kur ne të tjerët bëhemi si ata. Atëherë vdes rezistenca demokratike, përmbyset rendi kushtetues, dhe Republika e Kosovës kthehet në një projekt të dështuar – që duket se ka qenë gjithmonë misioni i tyre.