
Osmani në takim me Prattipatin, flasin për zhvillimet e fundit dhe hapat drejt konstituimit të Kuvendit
Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Takimi është zhvilluar të enjten, ndërsa sot Presidenca ka dhënë detaje, ku thuhet se në dritë të letrës së pranuar nga presidenti Trump, presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj të thellë për përkrahjen e tij dhe për fjalët e fuqishme mbi partneritetin me Kosovë.
“Ajo rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur për të punuar ngushtë me presidentin Trump në thellimin e mëtejshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara dhe në avancimin e objektivave të përbashkëta strategjike”.
“Presidentja Osmani vlerësoi lart lajmin të cilin ia ka komunikuar javën e kaluar zëvendëssekretari amerikan Christopher Landau për vazhdimin e Kompaktit të MCC-së në Kosovë, si një hap që do të ndihmojë ndjeshëm zhvillimin afatgjatë dhe strategjik të sektorit të energjisë, si dhe zhvillimet pozitive në aspektin e integrimit të Kosovës në peizazhin digjital global”, thuhet në njoftim, transmeton Zeri.info.
Tutje thuhet se Presidentja Osmani dhe Prattipati diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, në veçanti për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe pritshmëritë për hapat e mëtejmë.
Po ashtu thuhet se u diskutua edhe për hapa konkretë në funksion të thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. /Zëri