
Kushtetuesja pritet të dalë sot me vendim për konstituimin e Kuvendit
Të premten, më 8 gusht, përfundon afati i masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Ky vendim pritet të publikohet, pasi muajin e kaluar Kushtetuesja urdhëroi deputetët të mos ndërmerrnin asnjë vendim dhe veprim deri më 8 gusht në lidhje me konstituimin e Kuvendit, derisa po i shqyrton dy lëndë.
Kushtetuesja tha se po i shqyrton si lëndë të përbashkëta kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilat kishin kërkuar sqarime për çështjet kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Nuk është e qartë nëse ajo do ta shqyrtojë kërkesën e presidentes Vjosa Osmani në lidhje me atë se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik - afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi - pasi Presidentja e tërhoqi kërkesën më 5 gusht, për shkak të gjyqtarit Radomir Laban.
Në aktgjykimin e saj të parë për çështjen e konstituimit të Kuvendit, të cilin deputetët e shpërfillën, Kushtetuesja nuk kishte treguar pasojat juridike të mosrespektimit të vendimit të saj.