Cakolli: Specialja ka prodhuar shqetësime serioze për transparencë

Cakolli: Specialja ka prodhuar shqetësime serioze për transparencë

Aktuale August 07, 2025 - 23:35

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se distancimi nga themelimi i Gjykatës Speciale do të nënkuptonte se Kosova ka gabuar që e ka shpëtuar veten nga një gjykatë ndërkombëtare e OKB-së dhe ka ruajtur një minimum të kredibilitetit ndërkombëtar.

“Në rrethanat e vitit 2015, sado që kërkesa për një gjykatë speciale ishte e padrejtë, ishte prapëseprapë zgjidhja më pak e dëmshme në një konfigurim pa zgjidhje të mira apo në dobi tonën. Problem më i madh se vetë themelimi i Speciales është fakti që Kosova asnjëherë nuk e ka trajtuar këtë proces si sfidë shtetërore. Që nga fillimi, ka munguar çfarëdo strategjie për komunikim ndërkombëtar, për mbrojtje të narrativës së luftës dhe për angazhim proaktiv institucional. Fatkeqësisht, sidomos tash kur procesi është në fazën vendimtare, gjithçka është reduktuar në pagesa ndaj avokatëve – si një raport strikt financiar, e jo si proces shtetëror”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.

Sipas tij, drejtësia nuk është imune ndaj kritikës. “Gjykata Speciale ka prodhuar shqetësime serioze për transparencë, objektivitet dhe llogaridhënie. Prandaj, nëse ka diçka për të cilën duhet kërkuar falje sot, është për heshtjen e deritanishme qytetare dhe mungesën e angazhimit institucional përtej transaksioneve”, tha ai.