Reagimet për ngërçin institucional
Foto: Laura Hasani

Reagimet për ngërçin institucional

Aktuale August 07, 2025 - 19:53

Ambasada e Shteteve të Bashkuara, në Prishtinë, të mërkurën dha detaje lidhur me takimet që ka zhvilluar me liderët politikë, e ngarkuara me punë në ambasadë, Anu Prattipati.

Sipas një njoftimi nga ambasada, Prattipati ka theksuar se bllokada po cenon thelbin e demokracisë.

“Këtë javë, e Ngarkuara me Punë Anu Prattipati u takua me udhëheqësit e PDK-së, AAK-së dhe LDK-së për të theksuar një parim thelbësor demokratik: të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të votojnë për përfaqësuesit e tyre. Bllokimi i partive të kualifikuara përmes taktikave politike ose procedurale minon demokracinë", u tha në njoftim.

Sipas shkresës, e ngarkuara me detyrë në ambasadën amerikane, Prattipati diskutoi gjithashtu me udhëheqësit e partive për ngërçin në formimin e qeverisë.

Ajo tha se udhëheqësit e Kosovës u zgjodhën për t`i zgjidhur sfidat me të cilat përballet vendi i tyre derisa theksoi se ata duhet të punojnë së bashku për të përmbushur mandatin që populli i Kosovës u ka dhënë atyre.

Ndërkohë, përmes një postimi në Facebook edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka bërë thirrje për respektim të pavarësisë dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka procedura të përcaktuara mirë për shqyrtimet dhe vendimet e saj. Aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë e Kosovës. Kjo duhet të respektohet dhe promovohet nga të gjitha palët dhe vendimet e Gjykatës të respektohen dhe zbatohen”, thuhet në postimin e kësaj ambasade.

Gjykata Kushtetuese është duke trajtuar kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Kjo gjykatë në prag të skadimit të afatit të vendosur prej saj (26 korrik) për konstituimin e Kuvendit kishte vendosur një masë të përkohshme dy javore që nuk i lejonte deputetët të marrin asnjë veprim deri më 8 gusht.

Më 5 gusht, presidentja Vjosa Osmani në një konference për media njoftoi se ka tërhequr kërkesën e saj për shqyrtim nga Kushtetuesja për seancën konstituive, pasi gjyqtar raportues në këtë çështje ishte caktuar gjykatësi serb Radomir Laban, e për të cilin presidentja tha se konsiderohet si person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues. /rtk