Krasniqi falënderon qytetarët për pjesëmarrje në protestën masive kundër padrejtësive në Hagë
Foto: Laura Hasani

Krasniqi falënderon qytetarët për pjesëmarrje në protestën masive kundër padrejtësive në Hagë

Aktuale August 07, 2025 - 18:36

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjithë qytetarët që morën pjesë në protestën masive të mbajtur në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi ndaj padrejtësive që, sipas organizatorëve, po ndodhin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

Protesta ishte organizuar nga Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, ndërsa pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë e jashtëzakonshme.

Në një video të publikuar nga vetë Memli Krasniqi, shihen dhjetëra-mijëra qytetarë të mbledhur në Sheshin “Nënë Tereza”.

“Respekt dhe falënderim për secilin qytetar që sot u bashkua në protestën e drejtë dhe dinjitoze kundër padrejtësive në Hagë. Kosova nuk e harron sakrificën e bijve dhe bijave të saj”, ka shkruar Krasniqi në postimin e tij.

Ai gjithashtu theksoi se zëri i qytetarëve është i fuqishëm dhe i drejtë, dhe se mbrojtja e vlerave të luftës është detyrë e përbashkët.