
Vasfije Krasniqi i bashkohet protestës kundër Gjykatës Speciale: Jam krenare me UÇK-në
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi, i është bashkuar protestës në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë, duke e cilësuar këtë tubim si një mbrojtje të vlerave kombëtare.
“Sot kam dalë këtu për t’i mbrojtur vlerat tona kolektive. Është pak me vonesë, por shpresoj që të jetë protestë e fortë për t’i mbështetur vlerat tona të UÇK-së,” u shpreh ajo për klankosova.
Krasniqi theksoi se vlerësimi i saj për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk ka ndryshuar kurrë, duke kujtuar përkushtimin e familjes së saj ndaj luftës për liri.
“Në vitin 1998 kur është betuar vëllai im për të luftuar për UÇK-në, është edhe ditën e sotme.”
Ajo u shpreh krenare për UÇK-në dhe për ushtrinë që Kosova e ka sot, duke nënvizuar rolin e saj historik në çlirimin dhe ndërtimin e vendit.