
Deri tani mbi 1748 aplikime për ndërrim të qendrës së votimit brenda komunës, refuzohen 167 prej tyre
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve [KQZ] ka njoftuar se është duke vazhduar periudha për verifikimin dhe ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës për zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale.
Kjo periudhë, e cila ka filluar më 28 qershor, do të përfundojë më 29 gusht 2025.
“Deri më sot (e enjte, 7 gusht, ora 09:00) përmes platformës elektronike https://qv.kqz-ks.org janë pranuar 1.748 aplikime për ndërrim të Qendrës së Votimit brenda komunës, prej të cilave janë aprovuar 1.581, ndërkaq janë refuzuar 167. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë bashkëngjitur fotografinë e tyre duke mbajtur në dorë dokumentin identifikues”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Ndërrimi i qendrës së votimit brenda komunës është në vullnetin e votuesve, në rastet kur e shohin të nevojshme, në mënyrë që ta caktojnë atë sa më afër vendbanimit të tyre.
KQZ-a ka sqaruar se gjatë kësaj periudhe, qytetarët me të drejtë vote do të mund ta verifikojnë/mësojnë qendrën e tyre të votimit dhe nëse dëshirojnë edhe ta ndërrojnë atë, duke e caktuar sa më afër vendbanimit në komunën e tyre: përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org ose duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është i regjistruar votuesi.
Ndërkaq, ndërrimi i Qendrës së Votimit nga një komunë në komunën tjetër, nuk mundësohet drejtpërdrejtë nga KQZ-ja, por kjo është e ndërlidhur me deklarimin zyrtar të vendbanimit nga qytetarët/votuesit.
Për të kaluar nga një Qendër Votimi e një komune, në Qendrën e Votimit në një komunë tjetër, votuesi duhet të ndryshojë adresën e tij në Zyrën e Gjendjes Civile apo në platformën E-Kosova. Pas konfirmimit të ndryshimit të adresës nga Shërbimi i Gjendjes Civile, adresa e re reflektohet në Regjistrin Qendror Civil.
Çdo ndryshim i adresës së banimit deri më 29 gusht 2025, do të pasqyrohet në platformën e KQZ-së https://qv.kqz-ks.org dhe rrjedhimisht në Listën Votuese. /Zëri