
Dyshime për dallavere në konkursin e fundit për mësimdhënës në Komunën e Prishtinës
Në maj të këtij viti Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Arsimit, shpalli konkurs për 170 vende të lira në arsim.
Në redaksinë e “Zërit” kanë ardhur ankesa nga disa kandidatë të lëndës së matematikës, të cilët kanë mbetur jashtë listës së përzgjedhjes nga ana e Komunës së Prishtinës.
Ata pretendojnë se u është shkelur e drejta e punësimit si mësimdhënës të lëndës së matematikës, madje sipas tyre Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës (DKA) ka shkelur edhe Udhëzimin administrativ për mësimdhënie, pretendim ky që është hedhur poshtë nga DKA-ja në përgjigjet dhënë “Zërit”.
Sipas këtyre kandidatëve, në konkursin e fundit janë pranuar persona, të cilët nuk janë të thirrur për të ligjëruar lëndën e matematikës, pasi sipas tyre janë pranuar persona të cilët i kanë të përfunduara studimet bazike në shkencat kompjuterike.
Një kandidate (emër i njohur për redaksinë) ka thënë se edhe pse ka mjaft përvojë pune, ka mbetur jashtë listës së përzgjedhjes.
“Janë pranuar njerëz që studimet bazike i kanë shkencat kompjuterike. Normal ata nuk janë të kualifikuar për të dhënë mësim në lëndën e matematikës. A unë e kam të kryer lëndën e matematikës në FSHMN”, u shpreh ajo për “Zërin”, e cila thekson se tashmë ka bërë ankesë rreth parregullsive të këtij konkursi.
Edhe një tjetër kandidat pretendon se DKA-ja ka shkelur Udhëzimi administrativ nr. 05/2021 për mësimdhënës.
Ky kandidat, i cili pranoi të flasë vetëm në kushte anonimiteti (emri i të cilit është i njohur për redaksinë), theksoi se ka kredi edhe më shumë se që i nevojiten për shkak të shkollimit që e ka bërë.
“Unë kam mbi 12 vjet përvojë pune. E kam përfunduar Matematikën në FSHMN, pra katër vjet i kam studime bazike për matematikë, plus edhe dy vjet i kam master në matematikë. E në listë del që u pranu personi që i ka të përfundume studimet bazike për Shkencat Kompjuterike edhe me ma pak përvojë pune se unë. Nuk e di qysh guxojnë kaq hapur me bo shkelje këta të DKA-së”, u shpreh ai.
Komuna mohon pretendimet e kandidatëve, thotë se s’pati shkelje – pranon që pati ankesa
Nga Zyra e Burimeve Njerëzore në Komunën e Prishtinës kanë thënë për “Zërin” se nuk ka pasur asnjë shkelje gjatë këtij konkursi dhe se të gjithë kandidatët që kanë qenë meritorë janë pranuar në këtë konkurs.
“Duam të sqarojmë se nuk ka pasur asnjë shkelje të Udhëzimit Administrativ, përzgjedhja e kandidatëve është bërë në përputhje të plotë me Rregulloren Nr. 19/2024 dhe kriteret ligjore në fuqi. Çdo kandidat është vlerësuar sipas dokumentacionit të dorëzuar dhe përmbushjes së kritereve specifike, duke respektuar të gjitha udhëzimet administrative”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Të pyetur se përse janë lënë jashtë listës përzgjedhëse kandidatët me mbi 300 ECTS dhe me përvojë pune mbi 10-vjeçare, nga kjo zyrë i kanë thënë “Zërit” se janë pranuar të gjithë ata që kanë qenë meritorë.
Sipas Zyrës së Burimeve Njerëzore në Komunën e Prishtinës, procesi i përzgjedhjes së kandidatëve nuk varet vetëm nga numri i ECTS-ve dhe përvoja e punës që ata kanë, por edhe në bazë të testit me shkrim, intervistës me gojë, shqyrtimit të portofolit profesional, vlerësimin e tyre në aspektin e njohurive, aftësive praktike dhe përshtatshmërisë për pozicionin e kërkuar.
“Procesi i përzgjedhjes nuk bazohet vetëm në numrin e krediteve ECTS apo kualifikimin akademik. Të gjithë kandidatët janë vlerësuar në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse sipas Rregullores nr. 19/2024, duke marrë parasysh përputhshmërinë e profilit të tyre me nevojat e konkursit, përmbushjen e kritereve dhe performancën në testin me shkrim, intervistën me gojë dhe portofolin profesional. Për këtë arsye, përzgjedhja ka qenë e drejtë dhe në përputhje me standardet profesionale. Përzgjedhja e kandidatëve nuk bazohet vetëm në periudhën e përvojës profesionale. Procesi vlerësues përfshin testin me shkrim, intervistën me gojë dhe shqyrtimin e portofolit profesional. Në këtë mënyrë, vlerësohet secili kandidat në aspektin e njohurive, aftësive praktike dhe përshtatshmërisë për pozicionin e kërkuar. Përvoja profesionale është vetëm një nga kriteret sipas rregullores 19/2024”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ashtu sikurse janë ankuar në “Zëri”, nga Komuna e Prishtinës kanë bërë të ditur se tashmë në Zyrën e Burimeve Njerëzore kanë pranuar ankesa nga kandidatët e pakënaqur, mirëpo për shkak të procedurës nuk kanë dhënë detaje shtesë, vetëm kanë theksuar se janë duke i shqyrtuar ankesat.
“Drejtoria Komunale e Arsimit ka pranuar disa ankesa lidhur me këtë konkurs. Numri i saktë i ankesave është duke u evidentuar dhe do të komunikohet në përputhje me procedurat zyrtare të trajtimit të tyre. Ankesat e pranuara janë duke u shqyrtuar me kujdes nga Komisioni i Ankesave, në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi. Përgjigjet për secilën ankesë do të jepen brenda afatit ligjor, duke garantuar trajtim të drejtë, transparent dhe të paanshëm të çdo rasti”, theksojnë nga kjo Zyrë.
Sveçla: Punësimi i militantëve s’është diçka e re për LDK-në
Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve opozitarë të LVV-së në Prishtinë, ka thënë për “Zërin” se punësimet në periudha të tilla, pak para zgjedhjeve nuk janë risi për LDK-në.
Sipas tij, kjo që ka ndodhur në konkursin e fundit për mësimdhënës, por edhe në konkurset e tjera, është dekurajim për të gjithë të kualifikuarit.
“Është në vazhdën e atyre politikave që i kanë ndjek në pushtet vazhdimisht, e kjo sidomos e shprehur në kohë të fushatave siç jemi tani, ku ndodh punësimi i militantëve partiak dhe njerëzve të afërt me subjektin e tyre pa marrë parasysh që ju mungojnë kualifikimet e kërkuara. Është mungesë transparence dhe natyrshëm është dekurajim për të gjithë të tjerët të cilët nuk kanë ngjyrime politike, por që kanë përgatitjet e nevojshme. Megjithatë, për shkak të kësaj ata penalizohen dhe nuk mund ta ushtrojnë profesionin për të cilin janë përgatitur dhe kanë investuar kohë e mund. Nuk është diçka e re për LDK-në, vazhdimisht kanë vepruar kështu. Shpresojmë që në zgjedhjet të cilat janë para nesh, ky pushtet do të ndërrohet dhe pastaj punësimet do të ndodhin në bazë të meritokracisë”, ka thënë Sveçla për “Zërin”.
Retkoceri: Arsimi nuk guxon të bëhet arenë eksperimentesh ose favoreve politike
Edhe shefi i asamblistëve opozitarë të Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, ka thënë për “Zërin” se, nëse vërtetohet një gjë e tillë, atëherë do të kërkojnë përgjegjësi dhe llogari, pasi, siç theksoi ai, kjo rrezikon edhe cilësinë e mësimdhënies në institucionet arsimore.
“Nëse është e vërtetë, ashtu siç po njoftoni ju, se janë pranuar persona që nuk e kanë të drejtën ligjore të japin mësim, atëherë kemi të bëjmë me një shkelje serioze të Udhëzimit administrativ nr. 05/2021 dhe një cenim të rëndë të procesit të rekrutimit në arsim. Një veprim i tillë jo vetëm që është i padrejtë ndaj kandidatëve të kualifikuar, por rrezikon edhe cilësinë e mësimdhënies në institucionet tona arsimore. Sapo të kemi rastet konkrete para nesh, do të reagojmë dhe do të kërkojmë përgjegjësi të plotë nga të gjithë ata që kanë lejuar apo ndikuar në një proces të tillë të padrejtë. Arsimi nuk guxon të bëhet arenë eksperimentesh apo favoreve politike, gjithçka duhet të kryhet në mënyrë transparente, dhe gjithmonë të fitojnë pozitën meritorët”, u shpreh Retkoceri.
Qehaja: Mësimdhënësit e matematikës dhe shkencave duhet të inkurajohen
Drejtori i institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, tha për Zeri.info se profesionet në mungesë, sikurse mësimdhënësit e matematikës, duhet të inkurajohen.
Sipas Qehajës, transparenca dhe meritokracia për mësimdhënësit nëpër komuna është qenësore për garantimin e cilësisë.
“Transparenca dhe meritokracia në rekrutimin e mësimdhënësve në komuna është qenësore në garantimin e cilësisë së rritur në mësimdhënie dhe inkurajimin e të rinjve për profesionin e mësimdhënies. Kjo e fundit, veçanërisht, ka domethënie të fuqishme për profesionet me mungesë, si ato të mësimdhënësve të matematikës dhe shkencave”, u shpreh Qehaja. /Zëri