Kurti tregon se Sorensenit i foli për “sukseset në veri, duke zbatuar Marrëveshjen e Ohrit”
Foto:ZKM

Kurti tregon se Sorensenit i foli për “sukseset në veri, duke zbatuar Marrëveshjen e Ohrit”

Aktuale August 06, 2025 - 14:41

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka folur sot për takimin që pati paradite me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.

Kurti tha se me Sorensenin ka pasur një takim të gjatë, me të cilin ka diskutuar për gjendjen e komuniteteve në veri, në veçanti të komunitetit serb.

Ai tha se ia ka kujtuar përfaqësuesit të BE-së se serbët gëzojnë të drejta sipas Kushtetutës dhe çdo ditë e më shumë serb të rinj po u bashkohen institucioneve të Republikës së Kosovës, duke përmendur Policinë, transmeton Zeri.info.

“Ishte një takim i gjatë me emisarin special të BE-së, zotëri Serensen, me ç’rast diskutuam për gjendjen e komuniteteve në Kosovë, në veçanti të komunitetit serb. Unë e njoftova atë që komuniteti serb kurrë nuk duhet të harrojë të drejtat që i gëzon sipas Kushtetutës së Kosovës dhe përveçse i kanë ulëset e rezervuara në Kuvend të Republikës, gjithashtu gjuha zyrtare serbe është jo vetëm në komunat ku ata janë, por gjithandej në çdo nivel dhe po ashtu e njoftova që prejse e kanë braktisur Policinë tonë, rreth 540 policë serbë në nëntor të vitit 2022, 199 serbë, kadet të ri ne i kemi përfshirë në policinë tonë”, tha Kurti.

Kurti tha se asnjë incident nuk është shënuar në dy vjetët e fundit në komunat veriore ku kryetarët janë shqiptarë, e ku ka të angazhuar edhe nga komuniteti serb, sipas tij, atje punojnë shqiptarë e serbë bashkë dhe s’ka pasur asnjë incident.

“Në katër komunat veriore në Kosovë janë rreth 100 serbë të rinj, të cilët punësuar pasi kryetarët atje janë shqiptarë. Dhe kryetarët shqiptarë në katër komunat në veri e kanë nënkryetarin serb, kanë drejtorë serbë. Dhe unë kërkova që të ketë një mirënjohje më të madhe për shtetin e Kosovës, sepse nuk ka asnjë incident midis punëtorëve shqiptarë e serbë në katër komunat në veri. Pra më shumë se 2 vjet që punojmë bashkë serbë e shqiptarët në veri, asnjë incident”.

“432 biznese të reja janë hapur prej 1 janarit të vitit të kaluar, rreth 800 serbë janë punësuar përmes programit ‘Qeveria për familjet’. Dhe tash unë thashë që çfarëdo që po bëjmë ne është në fakt në funksion të integrimit të serbëve dhe nuk është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit apo e Aneksit zbatues të Ohrit, por përkundrazi në përputhje me to. Pra ajo çfarë bëjmë ne, edhe nuk është shkelje e marrëveshjes edhe është në përputhje me to, por e kundërta vlen për Serbinë, e cila nuk respekton marrëveshjen edhe e shkel atë vazhdimisht”, tha Kurti para gazetarëve. /Zëri