Kurti: Presim që këtë javë të ketë një epilog, respektojmë çdo vendim të Kushtetueses
Foto: Laura Hasani

Kurti: Presim që këtë javë të ketë një epilog, respektojmë çdo vendim të Kushtetueses

Aktuale August 06, 2025 - 14:40

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, edhe pas tërheqjes së lëndës nga ana e Presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se Gjykata Kushtetuese duhet të japë një aktgjykim, shkruan Zeri.info.

Sipas Kurtit, Gjykata Kushtetuese është dashur të mendojë se çfarë do të ndodhë pas afatit 30-ditor, pavarësisht se ritheksoi se çdo vendim të Kushtetueses do ta respektojnë.

“Sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, mendoj se duhet të presim edhe fare pak ditë. Në këtë javë do të na njoftojnë se çka kanë menduar se duhet të ndodhë pas 30 ditëve. Unë nuk e di se cila do të jetë zgjedhja natyrisht, por ne kemi thënë se e respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Është dëm i madh që Kosova nuk ka Kuvend. Kosova ka qeveri në detyrë. Vetëm 6 seanca kanë qenë duke e votuar josuksesshëm kandidaten tonë Albulena Haxhiu, të gjitha seancat e tjera, rreth 45 sosh, janë duke u mohuar votimi i fshehtë. Prandaj unë besoj se është shumë gabim që në Kosovë është krijuar praktika sipas së cilës deputetët opozitarë bojkotojnë votimin, edhe atë duke e kundërshtuar votimin e fshehtë, që është i normuar si njëra prej mënyrave të zgjedhjes së kandidatëve, me ç’rast nuk ka përparësi votimi i hapur ndaj votimit të fshehtë ose anasjelltas. Por le të presim edhe këto ditë të kësaj jave dhe le të marrim vesh saktësisht se si duhet të vazhdojmë tutje”, deklaroi Kurti, raporton tutje Zeri.info.

Ai po ashtu tha se tashmë janë duke punuar intensivisht për zgjedhjet lokale dhe theksoi se deri javën tjetër do t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për asamble komunale.

“Ndërkohë ju e dini që të gjitha partitë politike, duke përfshirë edhe mua si kryetar i Vetëvendosjes, jemi duke punuar intensivisht për zgjedhjet lokale dhe sot një javë e kemi afatin e fundit kur duhet t’i dorëzojmë listat e kandidatëve tanë për asamble komunale”, tha Kurti. /Zëri