
Kurti: Askush nuk mori masa kur u paralajmërua për gjyqtarin Llabani në vitin 2018
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur sot për situatën e krijuar rreth Gjykatës Kushtetuese dhe formimin e institucioneve.
Kurti ka folur edhe për vendimin e presidentes Vjosa Osmani që të tërheqë lëndën nga Kushtetuesja për shkak se gjyqtar i kësaj lënde ishte caktuar gjyqtari serb Radomir Llaban, që sipas Presidentes, ai angazhohet kundër rendit kushtetues të Kosovës.
Kurti tha se për Llabanin kishin ngritur zërin si parti qysh në vitin 2018, kur Llabani garonte për t’u bërë gjyqtar, por që sipas tij, institucionet atëherë nuk i morën parasysh ankesat e Vetëvendosjes, transmeton Zeri.info.
“Presidentja Osmani nuk ka qenë në dijeni se ai do të jetë kryesues i çështjes që do të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese. Ne që nga viti 2018 kemi qenë të informuar për gjyqtarin Radomir Llaban, atëherë kur ai pati aplikuar që të bëhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Deputetja jonë në emër të Grupit Parlamentar të asaj kohe sa ishim në opozitë, Albulena Haxhiu, i pati shkruar letër Zyrës së Presidentit, mirëpo fatkeqësisht, as presidenti i atëhershëm në vitin 2018, as kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e atëhershme nuk e kanë parë të arsyeshme që ta ndalin një proces të tillë sepse është absurde që dikush, i cili sipas informacioneve që kemi përmes institucioneve të sigurisë është i papërshtatshëm, me rrezik për rendin tonë kushtetues tash të gjykojë mbi një çështje kushtetuese”, tha Kurti sot për mediat. /Zëri