
Sorenseni i quan të “rregullta” takimet me Osmanin e Kurtin, nuk jep detaje
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Peter Sorensen, pas takimeve veç e veç me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, nuk dha ndonjë hollësi për përmbajtjen e këtyre takimeve.

“Sapo pata takim me kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani. Jam këtu për shkak të mandatit tim, për të diskutuar se si t’i zbatojmë marrëveshjet, sepse situata politike këtu nënkupton që gjërat mund të marrin më shumë kohë. Kështu që ky është një takim i rregullt. Jam i lumtur që jam këtu”, tha shkurt Sorensen para gazetarëve.
Takimi i Sorensenit me Osmanin dhe Kurtin erdhi në kohën kur Kosova gjendet në një krizë politike, pasi nga zgjedhjet parlamentare të shkurtit vendi nuk ka institucione të reja. /EO