Emri që trazoi Presidenten, cila është historia e gjyqtarit Radomir Laban?

Emri që trazoi Presidenten, cila është historia e gjyqtarit Radomir Laban?

Aktuale August 06, 2025 - 09:53

Emri i tij trazoi sërish opinionin publik në Kosovë.

Pasi u caktua gjyqtar raportues në çështjen që e dërgoi Presidentja në Gjykatën Kushtetuese, Radomi Laban, u rikthyer për t’u diskutuar emri dhe e kaluara e tij.

Historia e Labanit

Radomir Laban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018. Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretonte Labanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.

Në vitin 2011, Labani ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim. Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Labanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.

Radomir Laban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë. Mandati i gjyqtarit Laban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.

Vitin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës kishte refuzuar ta emëronte Labanin për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.

Çka tha Osmani?

Në një konferencë për media, presidentja Osmani njoftoi se e ka tërhequr çështjen e saj.

Ajo pati kritika të mëdha ndaj këtij gjyqtari.

Në një konferencë për media, ajo ka thënë se Kosovës do t`i bëhej më shumë dëm se dobi, nëse gjyqtarit Radomir Laban, do të vendoste për këtë çështje.

“Ky ka qenë një rast i rëndësishëm, sepse nëpërmjet tij do të qartësoheshin një sërë temash të rëndësishme për institucionet e Kosovës, jo vetëm për këtë mandat, po edhe për mandatet e ardhshme. Megjithatë, më shumë dëm do të bëhej sikur ne t`i mbyllnim sytë dhe të pretendonim se asgjë nuk ka ndodhur me caktimin një gjyqtari, për të cilin i kemi marrë informacionet që i kemi marrë. Ne nuk mund t`i mbyllim sytë para informacioneve të tilla, të cilat janë jashtëzakonisht shqetësuese. Pra, nuk janë informacione të thjeshta, janë informacione jashtëzakonisht shqetësuese për personin në fjalë. Prandaj, kemi vlerësuar se do të bëj më shumë dëm se sa dobi në qoftë se lëmë lëndën në duart e një gjyqtarit raportues, i cili, siç e thash edhe e trason rrugën përpara”, ka thënë Osmani.

Shumëkush këtë e pa si një strategji të Osmanit, e ndoshta edhe Kurtit, që me këtë situatë, të çojnë deri në dorëheqjen apo shkarkimin e Labanit.

Në këtë formë, Gjykata Kushtetuese do të mbetej pa kuorum, dhe bllokada politike do të eskalonte në një tjetër nivel, pasi do të ishte i pamundur vendimi për krizën në Kuvend. /Nacionale