
Analistët për vendimin e Osmanit: Huqje, tërheqja e kërkesës s’e ndalon domosdoshmërisht trajtimin e saj
Analistët e kanë cilësuar si shqetësuese tërheqjen e kërkesës së presidentes Vjosa Osmani nga Gjykata Kushtetuese, tri ditë para përfundimit të masës së përkohshme, që ndalon çdolloj veprimi të deputetëve për formimin e institucioneve.
Osmani të mërkurën, nëpërmjet një konference për media, ka kundërshtuar caktimin e gjyqtarit Radomir Laban nga Gjykata Kushtetuese për të vendosur lidhur me rendin kushtetues të Kosovës, në cilësinë e gjyqtarit raportues.
Arsyetimi i saj qe rrezikshmëria e tij, duke u bazuar në informacionet e institucioneve të sigurisë. Ndërkaq të ftuarit në transmetuesin publik kanë thënë se kjo kërkesë krijon amulli për të ardhmen e institucioneve.
Avokat Ardian Bajraktari ka vlerësuar se epilogu i çështjes së konsultimit me Gjykatën Kushtetuese, sipas tij, do të jetë papajtueshmëria, andaj presidentja Osmani ka bërë tërheqjen e kërkesës.
“Në bindjen time është një tentativë për ta justifikuar një huqje të adresimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese nga ana e institucionit të Presidencës së Kosovës. Kjo për faktin se pavarësisht që çështja iniciohet si konflikt interesash, vërehet që kërkesa më shumë ka të bëjë me adresim të pyetjeve, pavarësisht që nga viti 2018 nuk merret Kushtetuesja me adresimet në formën e pyetjeve”, ka thënë ai në RTK.
Analisti Muhamet Hajrullahu e ka quajtur degradim politik situatën e krijuar nga shkurti i këtij viti e deri me tërheqjen e kërkesës së presidentes Osmani sot.
“Shqetësimi më i madh është se si ky gjyqtar është qe 8 vjet aty dhe të gjitha vendimet janë diskutabile. Të gjithë ne pritëm zgjidhje, cilado qoftë ajo. Për Radomir Laban ka pasur reagim të medieve nga viti 2018...”, ka thënë ai.
Avokati Tomë Gashi ka thënë se rrezikshmëria e Labanit dallohet me kërkime të lehta për të, duke përfshirë faktin që kërkohet nga Interpol.
“Sot është data 5 gusht dhe Gjykata Kushtetuese ka vënë një ndalesë që të mos ndërmarrin asnjë veprim në tentimin e formimit të institucioneve deri me datën 8 gusht. Por, tani jemi të shokuar sepse me heqjen e kërkesës së presidentes, po i bie që ne sigurinë kombëtare dhe të shtetit e kemi lënë në duart e dikujt që kualifikohet si i rrezikshëm”, ka thënë ai.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka reaguar pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese sa i përket pasojave juridike për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, brenda afatit tridhjetëditor, duke thënë se siguria kombëtare nuk mbrohet përmes konferencave për media.
Miftaraj në reagimin e tij ka shkruar në Facebook se nuk sulmohet Gjykata Kushtetuese në këtë mënyrë nga Presidentja e Republikës.
“Lidhur me gjyqtarin Llaban, IKD-ja e kishte kundërshtuar në mënyrë publike emërimin e tij. Sidoqoftë, siguria kombëtare ruhet dhe mirëmbahet nga autoritetet kompetente e kurrë përmes politizimit të GJK dhe sulmeve të tilla nga Presidenca. Gabim dhe ndërtim i një kulture të re që cenon rëndë pavarësinë dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ai.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se tërheqja e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani nuk e ndalon domosdoshmërisht trajtimin e saj.
Sipas Cakollit, Gjykata ka të drejtë ta vazhdojë shqyrtimin kur konstatohet interes publik madhor.
“E në një situatë ku Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues dhe vendi ndodhet në vakuum institucional, s’ka dilema se ky është një ndër rastet më serioze, që kërkon përgjigje të qartë nga autoriteti i vetëm që ka mandat ta japë atë”, ka shkruar Cakolli.
Sipas tij, Gjykata duhet ta trajtojë këtë çështje deri në fund.
“Mbi të gjitha, për shkak të rëndësisë për funksionimin kushtetues të institucioneve. Por, edhe për të mbrojtur integritetin institucional të saj dhe për të mos e minuar besimin e qytetarëve në vendimmarrjen e saj si trupë, për shkak të një gjyqtari. Aq më tepër, kur kërkesat aktuale të partive politike nuk e adresojnë qartë çështjen e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor”, ka shkruar ai.
Lidhur me arsyetimin e Presidentes për tërheqjen e lëndës, pasi gjyqtar raportues u caktua Radomir Llaban, Cakolli ka thënë se gjyqtari raportues nuk e vendos as fatin e kërkesës, as përmbajtjen e vendimit.
Osmani në konferencën e djeshme për media ka thënë se kjo kërkesë e saj është në funksion të mbrojtjes së rendit kushtetues.
“Është absurde të pritet që rendi ynë kushtetues të mbrohet nga persona, që sipas institucioneve të sigurisë, e rrezikojnë rendin kushtetues”, ka thënë ajo.
Osmani në konferencën e djeshme për media ka thënë se kjo kërkesë e saj është në funksion të mbrojtjes së rendit kushtetues.
“Është absurde të pritet që rendi ynë kushtetues të mbrohet nga persona, që sipas institucioneve të sigurisë, e rrezikojnë rendin kushtetues”, ka thënë ajo.