
Krasniqi pret Prattipatin, kërkohet themelimi i shpejtë i institucioneve
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim Anu Prattipati, të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka bërë të ditur se në këtë takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend.
Krasniqi në këtë takim theksoi rëndësinë e themelimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja, duke paralajmëruar se vonesat në këtë proces po krijojnë pasiguri dhe po dëmtojnë funksionimin normal të shtetit.
"Si gjithmonë, ishte kënaqësi të mirëpres në takim Anu Prattipati, të ngarkuarën me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë. Në frymën e diskutimit për zhvillimit aktuale, theksova nevojën që institucionet e reja të themelohen sa më parë, sepse vonesat po krijojnë pasiguri dhe po dëmtojnë funksionimin normal të shtetit. PDK-ja do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi, në interes të qytetarëve, për stabilitet institucional dhe mbetet e përkushtuar për partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë perëndimorë", shkroi Krasniqi.