Presidentja Osmani pret në takim lamtumirës ambasadorin Nissinen
Foto: Facebook

Presidentja Osmani pret në takim lamtumirës ambasadorin Nissinen

Aktuale August 05, 2025 - 13:44

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik.

Osmani shprehu mirënjohjen për kontributin e ambasadorit Nissinen në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, duke vlerësuar lart angazhimin e tij në ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm të bazuar në vlera demokratike dhe vizion të përbashkët për të ardhmen, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sipas njoftimit, Osmani veçoi si moment të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe vizitën bilaterale në Finlandë, e cila, sipas saj, dëshmon miqësinë dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet dy shteteve.

Gjatë takimit u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në vend, përfshirë konstituimin e institucioneve të reja, si dhe u ritheksua mbështetja e Finlandës për rrugën euroatlantike të Kosovës.

Në përfundim të takimit, presidentja Osmani falënderoi ambasadorin Nissinen për bashkëpunimin dhe përfaqësimin e denjë të shtetit finlandez në Kosovë, duke i uruar suksese në detyrat e ardhshme.