
KQZ: Ende asnjë aplikim për certifikim të subjekteve politike
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka pranuar asnjë aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe listës me kandidatët e tyre, për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Por, deri tani, janë 54 subjekte politike që kanë filluar aplikimin, thonë nga KQZ-ja.
Ndërkohë, po vazhdon procesi i regjistrimit për votim me postë, për çka janë pranuar 2 mijë e 334 aplikime, shumica të aprovuara.
Afati i aplikimit të Subjekteve Politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve ka filluar më 26 qershor dhe do të zgjasë deri më 13 gusht. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tregon për Radio Kosovën rrjedhën e këtij procesi dhe numrin e aplikimeve të dorëzuara për certifikim të subjekteve politike dhe listës me kandidatët e tyre.
“Deri më sot, nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ndonjë subjekt politik, pra i cili është kompletuar dhe që Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike do të mund të fillonte shqyrtimin e aplikimit. Momentalisht, kemi 19 parti politike; 19 iniciativa qytetare dhe 16 kandidatë të pavarur, të cilat kanë filluar aplikimin. Fillimi i aplikimit nënkupton krijimin e userëve nga Zyra për t’u qasur në platformën elektronike të KQZ-së, për të paraqitur aplikimin e tyre”, tha Elezi.
Aktualisht, në KQZ është duke vazhduar edhe regjistrimi për votim me postë, nga shtetasit që ndodhen jashtë Kosovës. Zëdhënësi i KQZ-së tregon numrin e atyre që kanë aplikuar për votim, për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen të dielën e dytë të tetorit.
“Deri në përfundim të datës 5 gusht 2025, përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar 2,334 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 1,663, ndërkaq janë refuzuar 671. Aktualisht është duke vazhduar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, e cila do të përfundojë më 29 gusht. Gjatë kësaj kohe, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës”, tha Elezi.
Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës, çka është e domosdoshme, shpjegon Elezi. Ai tutje tregon për Radio Kosovën se në zgjedhjet e fundit lokale, të tetorit të vitit 2021, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar për votim përmes postës ka qenë më shumë se 15 mijë e 500, prej të cilëve më pak se gjysma kishin votuar. /rtk